Aktualitet

Plagosja e dyfishtë në Malësinë e Madhe, autori në pranga!

Pas disa orësh kërkime nga uniformat blu, kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i plagosjes së dy personave, sot në Vrakë të Malësisë së Madhe. Në operacionin e bluve të Shkodrës, u vendos në pranga Lul Rakaj. Në  mëngjes, pas një debati në hyrje të një lokali, Rakaj qëlloi me armë zjarri duke plagosur shtetasit Besmir Çofi e Avenir Hasanaj. Por, pistoleta e krimit ende nuk është gjetur.

Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka lidhje me pazare të prishura të drogës, por ndërkohë vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të saj. Sa i përket të lënduarve që po marrin trajtim në Spitalin Rajonal të Shkodrës, mësohet se njëri prej tyre është në gjendje kritike e mbahet nën kujdesin e mjekëve. Ai ka marrë një plumb në pjesën e brinjëve. Gjendja shëndetësore e të plagosurit tjetër nuk paraqet probleme e raportohet se ka vetëm një plagë në pjesën e këmbës.

Autori Lul Rakaj, tashmë i arrestuar, rezulton se 13 vjet më parë vrau për hakmarrje personin që i kishte ekzekutuar babanë, para disa kohësh. Rakaj e qëlloi për vdekje shtetasin Kolë Mushku, në Hot të Malësisë së Madhe.