Aktualitet

Plagosi me thikë efektivin, arrestohet 30-vjeçari, person me precedent kriminal!

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga të riun, i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me thikë një efektiv, pasi i kishin shkuar në banesa pas një denoncimi për dhunë në familje.

30-vjeçari me iniciale P.I, person me precedent kriminal kundërshtoi me dhunë  punonjësit e Policisë  dhe dëmtoi me mjet prerës (thikë), në dorë dhe fytyrë njërin pre tyre.

I riu akuzohet për  veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku në lagjen “Guerile”, Shkodër,  shtetasi P. I, 30 vjeç, (person me precedent kriminal), kundërshtoi me dhunë  punonjësit e Policisë  dhe dëmtoi me mjet prerës (thikë), në dorë dhe fytyrë një nga  punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, Inspektor K. Ç, të cilët kishin shkuar te banesa e këtij shtetasi  pas njoftimit të marrë për dhunë në familje, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve  hetimore të kryera  nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, u bë  arrestimi në flagrancë i shtetasit P. I., 30 vjeç, banues në Shkodër, për  veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

 

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme 30-vjeçari me emrin Petrit Isaj ka qëlluar me thikë një efektiv policie, pasi ky i fundit i kishte shkuar në banesë pas një njoftimi për dhunë në familje. 30-vjeçari ka qëlluar me thikë në dorë dhe në fytyrë efektivin. Ndërkohë që më pas është shoqëruar në polici nga efektivët e tjerë.

Njoftimi i Policisë (Mbrëmjen e djeshme):

Shkodër/Informacion paraprak Rreth orës 20:15,  Patrulla e Përgjithshme ka shkuar  në lagjen “Guerile”, pasi ka marrë njoftim për një rast dhune në familje. Në momentin që punonjësit e Policisë  kanë shkuar te banesa e shtetasit P. I, 30 vjeç, (person me precedent kriminal), ky shtetas  ka kundërshtuar me dhunë  punonjësit e Policisë  dhe  ka dëmtuar lehtë  me mjet prerës (thikë), në dorë dhe fytyrë një nga punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, Inspektor K. Ç.

Në mbështetje të Patrullës së Përgjithshme ka shkuar dhe një tjetër Patrullë e Përgjithshme duke neutralizuar shtetasin P. I, i cili u shoqërua në spital nga ekipi i urgjencës së spitalit i shoqëruar nga Patrulla e Përgjithshme. Pas kryerjes së injeksionit qetësues 30-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për sqarimin rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.