Gjyqtari i 21 janarit, Besnik Hoxha është përjashtuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Kolegji I Posaçëm të Apelimit vendosi sot që gjyqtari i Tiranës, Besnik Hoxha të përjashtohet nga drejtësia.
Vendimi i KPK-së për të konfirmuar Hoxhën u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili pretendon se vendimi i KPK-së është i cënueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit. Sipas KPA, Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.
Hoxha kryesoi më 8 shkurt 2013 trupën gjykuese shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo për 4 vrasjet e 21 janarit. Ndërkohë 21 janari po hetohet nga SPAK si krim i pazbardhur shtetëror ashtu siç Strasburgu e vlerësoi, por Gjykata e Tiranës në 2013-ën e shpalli Ndrean dhe Prendin të pafajshëm, të cilët më pas u dënuan në Apel.
Njoftim vendimi:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 39/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 661, datë 18.05.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Hoxha.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 661, datë 18.05.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Besnik Hoxha. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, më datë 25.07.2024, në Tiranë.