Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër-arrestin për Fabio Ballabanin, një prej individëve që u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit të SPAK për goditjen e 7 grupeve kriminale.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, konfirmoi ekstradimin e Fabio Ballabanit, i cili është pjesë e grupit të Emiljano Shullazit. Rrumbullaku theksoi se Ballabani është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe se arrestimi i tij është një hap i rëndësishëm në luftën ndaj krimit të organizuar.
Fabio Ballabani ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ngjarjen e ndodhur në vitin 2019, kur bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollanit, Kristaq Prifti, u kërcënua dhe dhunua brutalisht. Ballabani, i njohur edhe si Fabio Zyberaj ose Ivi Zyberaj, kishte marrë urdhër nga Emiljano Shullazi për të kërcënuar dhe rrahur Priftin.
Gjyqtarja Saida Dollani ishte pjesë e trupës që shqyrtoi dosjen “Shullazi” dhe, ndonëse e kërcënuar dhe e dhunuar përmes bashkëshortit të saj, ajo nuk pranoi të largohej nga çështja. Megjithatë, një nga kolegët në Apelin e Krimeve të Rënda, i cili tani është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë përmes vettingut, vendosi largimin e Dollanit nga trupa gjykuese, duke përfunduar kështu përfshirjen e saj në procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit.