Tabloja “Gruaja e ulur pranë dritares (Marie-Thérèse)” e Pablo Picassos është shitur për 103,4 milionë dollarë gjatë ankandit të organizuar tek Christie’s, në Nju Jork. Tabloja me përmasa 1,46 metra me 1,14 metra, e pikturuar më 1932, u vlerësua 90 milionë dollarë dhe arriti në 103,4 kur u shtuan tarifat dhe komisionet, pas një beteje më shumë se 19 minutëshe midis koleksionistëve.
Vepra, e cila përfaqëson dashnoren dhe muzën e Picasso-s, Marie-Thérèse Walter, ka pothuajse dyfishuar sasinë e vlerësimit fillestar të siguruar nga Christie’s, domethënë 55 milionë dollarë. Shitja konfirmon gjallërinë e tregut të artit, i cili në të vërtetë nuk ka vuajtur nga pandemia edhe nëse është ngadalësuar nga pasiguria për gjendjen shëndetësore dhe ekonomike, por edhe statusin e veçantë të Pablo Picasso (1881-1973).
“Gruaja e Ulur” ishte blerë vetëm 8 vjet më parë nga pronari i saj aktual, në një shitje në Londër, për 28.6 milion paund, ose rreth 44.8 milionë dollarë, më pak se gjysma e çmimit të ofruar. Pesë vepra nga Picasso tani kanë kapërcyer pragun simbolik prej 100 milionë dollarësh.
Edhe para kësaj shitje, Picasso me katër piktura, përfshirë “Gratë Algjeriane”, mban rekordin për artistin spanjoll, me 179,4 milion dollarë, në maj 2015.
Rikujtojmë, se një pikturë e Pablo Picassos, e vlerësuar në 25 milionë euro, e vjedhur 20 vjet më parë në një jaht në jug të Francës, është rishfaqur në Holandë falë hulumtimit të një eksperti holandez të artit.