Aktualitet

Pezullohen fluturimet në aeroportin e Mynihut, shkak reshjet e mëdha të dëborës!

Fluturimet në aeroportin e Mynihut, në jug të Gjermanisë, janë pezulluar deri në mesditën e së shtunës, për shkak të borës së madhe, kanë thënë zyrtarë të aeroportit.

Sipas tyre, shërbimet për menaxhim të borës janë duke punuar për t’i rikthyer operacionet.

Sasia e madhe e borës tashmë ka çrregulluar edhe shërbimet e trenave në jug të Bavarisë, dhe stacioni kryesor i trenave në Mynih është virtualisht i bllokuar.

Shërbimet e trenave në distanca të gjata janë anuluar dhe masa pritet të zbatohet gjithë të shtunën.

“Ju rekomandojnë shtyrjen e udhëtimet për dhe nga Munihu”, kanë thënë autoritetet, sipas agjencisë së lajmeve DPA.

Edhe ditën e djeshme, pasagjerët në aeroportin e Munihut në Gjermani u përballën me shqetësime të mëdha për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të borës të cilat bënë që shumë fluturime të anulohen për shkak të ngricave në pista.

Konkretisht, fluturimet e Lufthansa-s drejt Berlinit dhe Hamburgut u anuluan, si dhe fluturimet për në Toulouse, Stuttgart, Luksemburg, Londër dhe Dresden.

Për këtë arsye rekomandohet që pasagjerët që do të udhëtojnë të kontaktojnë fillimisht linjën ajrore, për të parë nëse ka pasur anulime.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të vendit deri ditën e sotme priten reshje të dendura bore, madje deri në orët e mbrëmjes të së dielës në disa pjesë të Gjermanisë temperatura do të bjerë deri në -12 gradë Celsius, duke rritur rrezikun e përkeqësimit të mëtejshëm të problemeve në Munih, për shkak të ngricave të forta që u bënë shkak për anulimin e gjithsej 160 fluturimeve të premten.