Bota

Pezullohen afatet mbi çështjen gjyqësore ndaj Donald Trump-it për zgjedhjet!

Gjykata shtyn të gjitha afatet gjyqësore ndaj Donald Trump-it mbi padinë për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2020. Gjykatësja Tanya Chutkan miratoi kërkesën e prokurorit të posaçëm Jack Smith, i cili drejton hetimin për çështjen penale ndaj presidentit të zgjedhur amerikan. Në kërkesën lidhur me shtyrjen e afateve, ekipi i tij deklaron:

Na duhet kohë për të vlerësuar rrethanat e pahasura më parë e që të përcaktojëm drejtimin e duhur për hapat e ardhshëm, në përputhje me politikën e Departamentit të Drejtësisë.

Sipas politikës së Departamentit të Drejtësisë, nuk mund të ngrihen akuza ndaj presidentëve në detyrë. Tashmë që duket se Trump është pranë marrjes së postit më të lartë publik në vend, pas fitores përballë zv.presidentes Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale, detyra e re mund ta mbrojë nga përballja me akuza për atë që u njoh si sulmi kundër Kapitolit.

Gjykatësja Chutkan i udhëzoi prokurorët të paraqesin propozimin e tyre deri më 2 dhjetor, për mënyrën si mendojnë se duhet vepruar për çështjen ndaj Trump-it. Gjithmonë, ky i fundit ka deklaruar se gëzon imunitet nga ndjekja penale.

Në korrik, Gjykata e Lartë vendosi se ish-presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale dhe ia riktheu çështjen gjykatëses Chutkan-it, që të përcaktojë si mund të vazhdojë çështja ndaj ish-presidentit.

Avokatët e Trump-in planifikonin t’i përgjigjeshin deri më 21 nëntor argumentit të prokurorit Smith, i cili parashtronte se çështja mund të vazhdonte, pasi shumica e aktiviteteve për të cilat Trump akuzohej ishin në rolin e tij si kandidat për rizgjedhje, jo si president.

Më 6 janar 2021, ish-presidenti dhe mbështetësit e tij u përpoqën të pengonin marrjen e presidencës nga Joe Biden-i. Demokrati pati fituar përballë presidentit të atëhershëm Trump në zgjedhjet e vitit 2020 por pasi Donald Trump mbajti një fjalim të zjarrtë, mbështetësit e tij marshuan drejt Kapitolit në kohën kur ligjvënësit po certifikonin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Mbi 1 mijë mbështetës të ish-presidentit janë dënuar lidhur me pjesëmarrjen e tyre në trazira.

Pavarësisht imazheve të dhunshme që u shfaqën nga ajo ditë, përfshirë pjesëmarrësit që godisnin oficerët e policisë, Donald Trump ka vazhduar t’i quajë mbështetësit e tij “patriotë” dhe ka theksuar se do të falte shumë prej tyre nëse zgjidhet.