Rajoni

Pezullohet rritja e çmimit të energjisë në Kosovë!

Kosova pezullon shtrenjtimin e energjisë elektrike. Gjykata e Prishtinës pranoi ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës e që momentalisht e bën të pazbatueshëm vendimin e muajit shkurt të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e tarifave. Nga kjo zyrë dhe qeveria e kryeministrit Albin Kurti ende nuk ka një reagim.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri:

Ky vendim ka qenë jashtëzakonisht i dëmshëm për çdo familje në Kosovë. I bëjmë thirrje ZRRE-së e të gjithë aktorëve të përfshirë në shtrenjtimin e energjisë elektrike, ta respektojnë gjykatën!

Deputeti tjetër i PDK-së, Ferat Shala, njëherazi kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Tregtinë, Industrinë dhe Ndërmarrjet paralajmëroi se “shumë shpejt do të krijohet Komisioni Hetimor Parlamentar ku do të zbardhen të gjitha abuzimet e qeverisë me fondet publike në kohën e krizës energjetike”.

Partia Demokratike e Kosovës pretendon se duke mos përfshirë katër komunat veriore në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, përveç diskriminimit mbi bazën e vendbanimit, Zyra e Rregullatorit ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cënimin e parimit të sundimit të ligjit e shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit.

Po ashtu, PDK pretendon se vendimi i Zyrës ka të meta në pikëpamje të plotësimit të kushteve ligjore të procedurës administrative. E njëjta forcë opozitare ka iniciuar edhe komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike dhe që tashmë do të ngrihet pas sigurimit të 40 firmave të nevojshme.

Tarifat e reja të energjisë elektrike, kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt të këtij viti. Nga vendimi i ZRRE-së për rritje preken vetëm ata konsumatorë familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj. Konsumatorët që shpenzojnë 900 kilovatë në muaj, me tarifat e reja paguajnë 57.9 euro kur me të mëparshmet nuk e kalonin 52.9 euro.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë tha se “loja me shifra për subvencione dhe lehtësime për kategori të ndryshme të konsumatorëve është thjesht një mashtrim, sa për ta qetësuar situatën”.