I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë këngëtari i njohur Petrit Çarkaxhiu. Ai ka publikuar së fundmi projektin e tij më të fundit të titulluar “Kangë muzgu” që është bërë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”, Top Awards. Petriti na ka folur më shumë për këtë projekt, punën mbi albumin e ri, si dhe planet e ardhshme të grupit Jericho…
Si lindi projekti “Kangë muzgu”?
Kënga është pjesë e albumit me të cilin kam 4 vite që punoj. Është kënga e gjashtë që sillet si një singell. Është një ndjenjë që po përcjell të gjitha këngët, ndjenja e mallit, një lloj melankolie. Por kjo është një këngë tjetër e dashurisë, në vazhdën e atyre këngëve të dashurive të parealizuara. Është shndërruar komplet albumi në atë formën e vet sa i përket kësaj ndjenje.
Kur do të vijë kënga e shtatë e albumit?
Nuk është e sigurtë, po planifikoj që të publikohet brenda 10 ditësh ose maksimumi 2 javësh. Nëser arrihet që të bëhet pjesa e editimit dhe klipit, por këto janë planet. Titulli i këngës është “Trandofili”, në fakt është kënga e vetme ku nuk jam unë autori. Është kompozuar diku tek vitet ’90, ndërsa teksti i përket poezisë klasike të shekullit të 15-të, nga një nga autorët më të njohur të këtij zhanri, që është Mesihi.
Po me grupin Jericho po bëni një projekt të ri?
Puna me Jericho po vazhdon. 2024 është një vit i ngarkuar për mua sa i përket muzikës, si asnjë vit tjetër më herët. Po punoj paralelisht me albumin solo por dhe me këngët e Jericho. Jericho për fat të mirë e ka siguruar një pjesë të mirë të dëgjuesve të Kosovës dhe tani po planifikojmë që të realizojmë një kompilacion në 25-vjetorin e ekzistimit tonë si grup, ku do të riregjistrohen në një kualitet shumë më të lartë ato këngë që na kanë karakterizuar, na kanë destinuar si grup në këto dy dekada e gjysmë. Sidomos këngë të cilat kanë të bëjnë me elementë të muzikës folklorike shqiptare. Por gjithashtu do të realizohen disa këngë të tjera të cilat i kemi paralajmëruar me realizimin e këngës “Ali Pasha i Janinës”, që është kënga e parë ku ne kemi krijuar një fuzion me muzikën e jugut të Shqipërisë, me polifoninë por jo vetëm.
Nëse edhe juve ju pëlqen projekti “Kangë muzgu”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.