Pësoi arrest kardiak, ndërron jetë në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Bogdani ndodhej në një konferencë në Hotel Rogner kur paparitur është ndjerë keq dhe u dërgua me urgjencë në QSUT, por për fat të keq nuk mundi të mbijetojë. Raportohet se në spital ka shkuar pa shenja jete. Me kërkesë të kryetarit të grupit demokrat, Gazment Bardhi, kryeparlamentarja Elisa Spiropali ndërpreu mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku po diskutohej për mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj.
Spiropali shprehu ngushëllime:
Të prehet në paqe kolegu unë! Ngushëllime familjes!
Gazment Bardhi:
Ky është një lajm shumë i rëndë e tronditës për ne, kolegët e tij.
Gerti Bogdani lindi më 7 korrik 1980 në Tiranë, mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe “Medalje Ari”. Më tej vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku u diplomua me “Nderimet më të Larta” (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – “Medalje Ari”.
Ai ishte themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë. Karrierën politike e filloi në vitin 2007, kohë kur kandidoi me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fitoi.
Gjatë kësaj kohe vazhdoi edhe aktivitetin si zëdhënës politik i Partisë Demokratike. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit dhe u zgjodh deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga 2009-ta e në vijim, vazhdoi aktivitetin si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Në vitin 2011 u zgjodh zv.president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar 2012, nënkryetar. Në shtator të 2015-ës u zgjodh Kryetar i IYDU-së në Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mbante një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.