Sport

Peshëngritja në zi, shuhet “Mjeshtri i Madh” Ferid Berberi!

Peshëngritja shqiptare humbet një nga ikonat më të shquara, “Mjeshtrin e Madh”, Ferid Berberi.

Kampioni i shumëfishtë i peshëngritjes shqiptare ka ndërruar jetë sot në moshën 75 vjeçare. Berberi vuante nga një sëmundje në mushkëri, duke mos ia dalë ta lërë pas sëmundjen.

Ferid Berberi ka lindur në Tiranë, më 6 dhjetor 1946. I diplomuar në Universitetin e Sporteve në Tiranë për edukim fizik, ai e filloi sportin e peshëngritjes me klubin e Dinamos, ku është shpallur kampion për 4 vite me radhë, nga 1972-shi në 1975-ën. Berberi ka marrë pjesë me Kombëtaren e peshëngritjes në garat ndërkombëtare të zhvilluara në Kinë dhe në Rumani, në vitet 1972 dhe 1975.

Për tri vjet, 1976-1979, Berberi ka drejtuar Dinamon dhe pastaj Kombëtaren e Shqipërisë deri në vitin 1985. Në krye të Dinamos, ka fituar titujt kampion, 6 herë. Po ashtu, Berberi ka drejtuar edhe Kombëtaren e të rinjve në peshëngritje, me të cilën ka fituar dy Ballkaniada.

Në periudhën 1992-2000 Ferid Berberi ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm në Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

 

Mes vlerësimeve të shumta që Ferid Berberi ka marrë mund të veçohen titujt “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, ”Nderi i Sportit Shqiptar”. Ai është nderuar edhe nga presidenti Ilir Meta, të cilin edhe e ka stërvitur, me “Urdhrin e Kalorësit”.