Aktualitet

Pesë ditë nga sulmi terrorist ndaj Top Channel, nuk ka autor dhe pistë të besueshme!

Pesë ditë pas sulmit terrorist ndaj Top Channel, vazhdojnë të lirë autorët e vrasjes në krye të detyrës së Pal Kolës, i ekzekutuar nga lëshimi i plumbave mbi fasadën e selisë qendrore të televizionit kombëtar në Mëzez. Gazetarja e kronikës, Dorjana Bezat zbuloi të rejat më të fundit nga çështja.

Në Policinë e Tiranës, çdo ditë realizohet një mbledhje me sektorin e Krimeve të Rënda për të analizuar të dhënat e mbledhura nga punonjësit e policisë në terren. Kjo pas ndjekjes së informacioneve që marrin nga kamerat e sigurisë në terren, si edhe nga burime të tjera. Çdo provë analizohet nga kjo drejtori e Policisë, megjithatë ende ndodhemi shumë larg një emri konkret apo së paku një piste të besueshme që mund të arsyetohet me prova të vlefshme se do të na çojë në identifikimin e autorëve.

Nëse ky sulm nuk zbardhet dhe policia nuk vë para përgjegjësisë ligjore autorët do të ketë pasoja më të rënda e jo vetëm në revanshin e krimit, por edhe në intimidimin e shumë gazetarëve që ushtrojnë detyrën në vendin tonë dhe marrin përsipër të denoncojnë çështje sensitive.

Vijon të mos ketë një pistë për këtë ngjarje të rëndë ku sulmohet një media. Policia deklaron se më 27 mars, vrasësit udhëtuan me shpejtësi me mjetin “Range Rover” në ngjyrë të zezë e në ecje e sipër zbrazën një karikator arme AK-47. Njëri nga plumbat goditi për vdekje punonjësin e sigurisë, Pal Kola.

Plumbat e  tjerë dëmtuan fasadën kryesore të Top Channel dhe rrezikuan jetën e punonjësve që nga hetuesit konsiderohen “dëshmitarë” e për këtë arsye janë marrë në pyetje.

Gjatë këqyrjes së mjedisit të jashtëm e atij të brendshëm, policia sekuestroi  gëzhoja të shumta edhe në brendësi të zyrave.

Por, pavarësisht veprimeve të ethshme hetimore, listës së gjatë të dëshmitarëve të pyetur dhe përgjimeve të shumta, deri tani nuk ka emra  të dyshuarish e pista. Agjencitë ligjzbatuese  duhej të bënin transparencë e të informonin pasi pushteti i katërt, media Top Channel u qëllua me kallashnikovë 26 herë, por zbardhja ende është larg.