Bota

Peru, vdes ish-presidenti Alberto Fujimori!

Ish-presidenti peruan, Alberto Fujimori, i cili u dënua për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare. Njoftimin e dha vajza e tij, Keiko.

Pas një beteje të gjatë me kancerin, babai ynë, Alberto Fujimori, ka shkuar për të takuar Zotin, shkroi Keiko Fujimori në një postim në platformën e medias sociale X. Ky postim u nënshkrua dhe nga vëllezërit e motrat e saj, Hiro, Sachie e Kenji Fujimori.

Djalë i emigrantëve japonezë, Alberto Fujimori shërbeu si president i Perusë nga viti 1990 deri në vitin 2000. Gjatë mandatit të tij si kryetar shteti, ai bëri që trupat e sigurisë të godisnin me rigorozitet forcat e krahut të majtë dhe ato të pretenduara si subversive. Kjo bëri që parlamenti të shpërbëhej.

Në atë kohë, shteti i Perusë ndihej i kërcënuar nga organizata terroriste maoiste “Rruga e shndritshme”. Përveç kësaj, qindra e mijëra gra indigjene u sterilizuan me forcë, për të zvogëluar numrin e fëmijëve që mund të lindnin. Ato shiheshin si pengesë për zhvillimin.

Fujimori u shpall fajtor në vitin 2009 për përgjegjësi të përbashkët në 25 vrasje dhe dy rrëmbime gjatë sundimit të tij. Ai është shpallur fajtor edhe për disa raste korrupsioni. Por u dënua vetëm me 25 vjet burg.

Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm Pedro Pablo Kuczynski e fali ish-kreun e shtetit për arsye humanitare për shkak të problemeve që pati me shëndetin. Përfundimisht u lirua nga burgu Barbadillo, pranë kryeqytetit Lima vitin e kaluar pas një kalvari të gjatë në gjykata.