Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, dënoi përpjekjen për tjetër atentat ndaj Donald Trump-it duke theksuar se “dhuna politike nuk ka vend askund”.
Jam i lumtur të dëgjoj se zoti Donald Trump është i sigurt dhe i padëmtuar. Urimet e mia më të mira atij dhe familjes së tij!
Kështu shkroi Zelensky në rrjetin X ndërsa për autorin e dyshuar u tha se njihej si aktivist pro-Ukrainës, çka nuk mbeti pa u komentuar nga Rusia. Kremlini tha sot se “lidhjet me Kievin të agresorit të dyshuar tregojnë se të “luash me zjarrin” ka pasoja”.
I pyetur nga gazetarët, zëdhënësi Dmitry Peskov u shpreh se Moska po ndjek situatën e tensionuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke shtuar se “Rusia nuk po ndërhynte në zgjedhjet presidenciale amerikane”.
Teksa FBI-ja vijon hetimet, Donald Trump nuk ka njoftuar ndonjë ndryshim në axhendë e pritet që të flasë drejtpërdrejt në rrjetin X sonte nga rezidenca e tij Mar-a-Lago. Ndërkohë, drejtuesit e një grupi bipartizan të Kongresit Amerikan që po heton atentatin e 13 korrikut ndaj Trump-it thanë se kanë kërkuar të informohen nga Shërbimi Sekret.
Postimet në mediat sociale e shfaqin të dyshuarin Routh që mbështet fushatën zgjedhore të Trump-it në vitin 2020, por në postimet më të fundit ai shfaqet në mbështetje të Biden-it e Harris-it. Gjithashtu, ai shihet se ka diskutuar në mënyrë të përsëritur luftën në Ukrainë dhe dukej se përpiqej të rekrutonte ushtarë për të ndihmuar përpjekjet ushtarake të Kievit.
Incidenti në të cilin Trump nuk u dëmtua, ndodhi dy muaj pasi u qëllua në vesh gjatë një veprimtarie të fushatës në Pensilvani. Pjesëtarët e mbrojtjes së ish-presidentit po siguronin zonat e fushës së golfit ku po luante dje kur panë një person të armatosur në shkurre. Agjentët e Shërbimit Sekret qëlluan në drejtim të të dyshuarit, i cili u largua nga zona dhe më pas u arrestua.
I dyshuari la pas një “pushkë AK-47”, një kamerë GoPro dhe dy çanta shpine. Agjenti i Shërbimit Sekret bëri një punë fantastike, tha sherifi Ric Bradshaw i Zyrës së Qarkut Palm Beach, duke përshkruar punën e agjentit që pikasi “individin e armatosur” dhe qëlloi kundër tij.
Presidenti amerikan Joe Biden tha në një deklaratë duke theksuar se ishte lehtësuar që Trump nuk u dëmtua.
Siç e kam thënë shumë herë, nuk ka vend për dhunë politike apo për çfarëdo dhune tjetër në vendin tonë.
Zv.presidentja Kamala Harris, e cila kandidon kundër Trump-it në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tha se ishte “thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet e mundshme për atentat ndaj ish-presidentit Trump”.