Bota

Përshkallëzohen protestat pro Trump, protestuesit mësyjnë në Capitol Hill

Një numër protestuesish që mbështesin presidentin Donald Trump kanë  hyrë në kompleksin e Kapitolit, ku ligjvënësit janë mbledhur në seancë për certifikimin e votës elektorale të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Përshkallëzohen protestat pro Trump në Washington, ku protestuesit kanë mësyrë në godinën e Kongresit Amerikan e njohur si Capitol Hill.  Policia ka qëlluar disa prej protestuesve në ambientet e brendshme të Kapitolit, ndërsa ka edhe konfrontime me policinë.

Situata ka sjellë edhe ndërprerje të Senatit që ishte mbledhur për të certifikuar fitoren Joe Biden. Zv. presidenti aktual Mike Pence, kryetar i Senatit, dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u larguan nga ambjentet nga grupet e sigurisë.

Presidenti Trump i ka bërë thirrje mbështetësve të ruajnë qetësinë, edhe pse më herët i kishte nxitur të marshonin drejt Capitol, ku ligjbërësit po certifikonin votat elektorale për rivalin e tij. Në një postim në Twitter, ai shkruan që të respektojnë edhe efektivët e policisë.

Unë u kërkoj të gjithë qytetarëve në Capitol të SHBA-së të qëndrojnë të qetë. Asnjë dhunë! Mos harroni, ne jemi Partia e Ligjit dhe Rendit, respektoni Ligjin dhe burrat dhe gratë tona të shkëlqyera me uniforma blu. Faleminderit.

Gjithashtu me një postim të fundit në Twitter, Donald Trump jep një video-mesazh për të gjithë protestuesit. Ai shprehet se e di dhimbjen e tyre, të gjithë e dinë që votat në zgjedhje u vodhën, por duhet të bëjmë paqe, nuk duhet të jemi të dhunshëm sepse jemi në një kohë të vështirë, një kohë që se kemi përjetuar kurrë më parë. Trump shprehet se ka parë gjithçka që kanë bërë, e di si ndihen, të gjithë i do shumë, por duhet të shkojnë në shtëpi.

Reagimi i Trump erdhi vetëm pak minuta pasi Biden i bëri atij thirrje që të kërkonte largmin e qytetarëve nga Capitol Hill.