Bota

Përse latinët mbështetën masivisht Trumpin?

Donald Trump arriti një fitore dërrmuese zgjedhore ndaj Kamala Harris, e cila u braktis nga disa prej votuesve tek të cilët dikur mbështeteshin demokratët. Mes tyre, edhe shumë latino-amerikanë.

Trumpi tregoi fuqinë e tij me votuesit e bardhë të klasës punëtore, të cilët patën shtyrë edhe herën e parë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016, por ndërkohë republikani fitoi këtë radhë edhe mbështetje të madhe nga votuesit latinë , ndërsa pati një performancë më të mirë se sa pritej mes amerikanëve të rinj, veçanërisht meshkujve. Në radhët e amerikano-latinëve, që për dekada me radhë janë konsideruar një pjesë e rëndësishme e bazës së votuesve demokratë, Trump përfitoi nga një rritje e madhe prej 14 pikë përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2020. Dhe ai u kujdes t`i përmendte në fjalimin e vet të fitores.

“Njerëzit erdhën nga të gjitha anët: Sindikalistë ose jo, afrikano-amerikanë, hispaniko-amerikanë. I kishim të gjithë me vete dhe ishte shumë bukur.”, tha Trump.

Arsyeja e mbështetjes, sidomos në atë që njihet si “Rripi latin” – një korridor industrial lindor që dy zgjedhjet e fundit ishte spostuar djathtas, nuk është dhe aq e komplikuar.

“Në të vërtetë, është shumë e thjeshtë. Në pëlqen sesi ishin gjërat katër vjet më parë.”, u shpreh Jose Vargas, banor i Xhorxhias.

“Trumpi duhet të fitonte, sepse vetëm ai mund ta ngrejë këtë vend sërish në këmbë, të mbyllë kufirin, e t`i ndalojë hyrjen kriminelëve.”, tha Julia Garcia, banore e Xhorxhias.

“Ekzistonte një ide se votuesit afrikano-amerikanë, veçanërisht meshkujt, do të ishin vendimtarë në këto zgjedhje. Por kjo qe e gabuar. Donald Trump arriti pothuajse të njëjtën përqindje votash të afrikano-amerikanëve në Xhorxhia si herën e kaluar: 16% e meshkujve me ngjyrë, 8% e femrave me ngjyrë. Të gjithë ndryshimin e bëri vota e latinëve, e cila u spostua në mënyrë dramatike drejt Trumpit. Harris fitoi vetëm gjysmën e votave të latinëve.

Të tjera arsye që e shtynë këtë komunitet të anonte nga Trumpi përfshinin çështjet sociale dhe një perceptim të pergjithshëm se vlerat e tyre familjare tani përputhen më shumë me Partinë Republikane, megjithatë edhe inflacioni dhe ekonomia ishin shqetësim madhor për latinët gjithashtu”, u shpreh George Chidi, gazetar i The Guardian.-TCH-