Një 54-vjeçar ra në prangat e policisë për një aksident rrugor me një viktimë, të shkaktuar mbrëmjen e djeshme në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Uniformat blu njoftojnë se me makinën që drejtonte përplasi për vdekje një këmbësore. Gruaja e moshës 62-vjeçe ishte banuese në Tiranë. I arrestuari në flagrancë akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Njoftimi policor:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”, ju informojmë se Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin E. M., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi automjeti që drejtonte, ka përplasur këmbësoren shtetasen H. M., 62 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila si pasojë e përplasjes ka humbur jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Vitin e kaluar, numri i aksidenteve rrugore shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve me leje drejtimi 0-3 vjet ka rënë me 12.9%, krahasuar me një vit më parë, pra 2022-shin. Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi raportin mbi aksidentet për vitin 2023.
Drejtuesit e mjeteve me mbi 9 vite leje drejtimi kanë shkaktuar 40% të aksidenteve, ndjekur nga kategoria 6-9 vjet leje drejtimi që zë 18.8%. Ndër të aksidentuarit (të vrarë dhe të plagosur) gjatë tre viteve të fundit, meshkujt zënë rreth 70% të të aksidentuarve gjithsej.
Drejtuesit e mjeteve të moshës 25-34 vjeç, shkaktojnë numrin më të lartë të aksidenteve, ku të aksidentuar janë më shumë meshkuj 71% dhe 29% femra. Megjithatë vihet re se janë meshkujt ata që zënë përqindjen më të lartë të të aksidentuarve për çdo grupmoshë të drejtuesit, duke lënë të kuptojmë se drejtuesit meshkuj janë ata që kryejnë pjesën më të madhe të aksidenteve rrugore.
Më 2023-shin, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditës së shtunë dhe të diel me 194 aksidente secila, duke zënë përkatësisht 15,1% të aksidenteve gjithsej. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë intervalit kohor 08:00 – 12:00.