Aktualitet Bota

Përplasen dy trena në Çeki, 4 të vdekur dhe më shumë se 20 të plagosur (VIDEO)

Të paktën katër persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën, pasi një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash në Republikën Çeke, njoftuan autoritetet të enjten.

Ministri i Brendshëm, Vit Rakushan tha se përplasja ndodhi të mërkurën në mbrëmje vonë në qytetin Pardubice – rreth 100 kilometra në lindje të Pragës.

Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përkiste kompanisë private RegioJet. Rakushan tha se asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetë.

Ministri i Transportit, Martin Kupka tha se rruga kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit duhej të mbyllej ndërsa autoritetet hetonin përplasjen.

“Ne nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit”, tha Kupka. Policia tha më vonë se po hetonte një neglizhencë të mundshme.

Kompania shtetërore e trenave, Hekurudhat Çeke tha se binarët mund të qëndrojnë të mbyllur për gjithë ditën “për shkak të shkallës së aksidentit”.

Ajo këshilloi pasagjerët që të shmangin përdorimin e itinerarit gjatë gjithë ditës. Ekipet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 pasagjerë ishin në trenin me shpejtësi të lartë që po shkonte për në qytetin Koshice, në pjesën lindore të Sllovakisë.

Sipas mediave çeke, treni po udhëtonte në Çop të Ukrainës, gjithashtu. Zjarrfikësit arritën të zbulojnë identitetin e të gjithë pasagjerëve dhe sipas tyre askush nuk mungonte.

Të vdekurit nuk janë identifikuan ende. Drejtuesit e të dy motorëve mbijetuan, tha agjencia çeke e lajmeve.

Pas aksidentit, shtatëmbëdhjetë persona u pranuan në departamentin e urgjencës të spitalit Pardubice.

Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të vdekurve.