Përpjekjet e para kirurgjikale për të kuruar kancerin datojnë që në Egjiptin e lashtë. Këtë e tregon analiza e dy kafkave njerëzore, njëra prej të cilave daton 4 mijë vjet më parë, ku duket përpjekja eksperimentale kirurgjikale për të hequr lezione kanceroze, ndoshta metastaza. “Kërkimi ynë synonte të kuptonte rolin e kancerit në të kaluarën, përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe mënyrën se si shoqëritë e lashta e trajtonin këtë patologji”-shpjegon Tatiana Tondini, studiuese në Universitetin e Tübingen.
Studiuesit ekzaminuan dy kafka të ruajtura në Koleksionin Duckëorth në Universitetin e Kembrixhit. Kafka dhe nofulla 236, që datonin midis 2687 dhe 2345 para erës sonë, i përkisnin një individi mashkull të moshës 30 deri në 35 vjeç. Kafka E270, e cila daton midis viteve 663 dhe 343 p.e.s., i përkiste një individi femër mbi moshën 50 vjeç. Analizat mikroskopike zbuluan një lezion të madh në kafkën 236, i cili mund të korrespondonte me një neoplazi, si dhe rreth tridhjetë metastaza të vogla.
Ajo që i habiti studiuesit ishte zbulimi i shenjave të prerjes rreth këtyre metastazave, të cilat ndoshta ishin bërë me një bisturi metalike rudimentare. “Nga vëzhgimi mikroskopik duket se egjiptianët e lashtë kryenin operacione eksperimentale kirurgjikale rreth zonave të dëmtuara nga qelizat kancerogjene”-shpjegoi Profesor Albert Isidro, onkolog kirurgjik në Spitalin Universitar Sagrat Cor.
Megjithatë, në kafkën E270, që i përkiste një gruaje, kishte edhe dy lezione të shëruara, të shkaktuara nga një traumë e dhunshme dhe e afërt, e shkaktuar ndoshta me armë prerëse. Këto lezione të shëruara mund të nënkuptojnë se gruaja mbijetoi falë operacionit. Kjo lloj plage, e pazakontë në një kufomë femër, i shtyn studiuesit të rimendojnë rolin e gruas në antikitet, siç nënvizon Tondini: “A ishte kjo femër e përfshirë në ndonjë lloj aktiviteti lufte? Nëse është kështu, ne duhet të rimendojmë rolin e grave si pjesëmarrëse aktive në konflikte”.