Për marrëveshje të zgjeruar, në përpjekje për të ndaluar njerëzit që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla, mes tyre edhe shqiptarë, drejt Parisit udhëtoi sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman. Shuma që Britania e Madhe i paguan Francës për të mbuluar koston e patrullimeve të shtuara do të rritet nga rreth 55 milion paund në vit në 63 milion, ndërsa numri i oficerëve që patrullojnë brigjet franceze, nga 200 në 300, sipas akordit së rishikuar.
Korrespondenti i BBC-së për Punët e Brendshme, Daniel Sandford tha se marrëveshja do të pengojë trafikantët e njerëzve që operonin në Francë, por nuk mund t’i japë fund biznesit të tyre.
Londra zyrtare ka theksuar se nuk ka një zgjidhje të vetme për problemin e mijëra emigrantëve që rrezikojnë jetën duke kaluar Kanalin me varka të vogla e të tjera mjete lundruese.
Përveç oficerëve dhe patrullave shtesë, paratë britanike do të lejojnë më shumë përdorim të dronëve e pajisjeve që qartësojnë shikimin gjatë errësirës. Po ashtu do të shpenzohen për shtimin në numër të qendrave të pritjes e largimit në Francë.
Portet franceze do të përfitojnë investime për të rritur përdorimin e CCTV-ve dhe ekipet e qenve zbulues për të parandaluar hyrjet e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar përmes kamionëve. Vëzhguesit nga Britania e Madhe do të vendosen në dhomat e kontrollit francez e anasjelltas, pra ata francezë në dhomat e kontrollit të Mbretërisë së Bashkuar, me qëllimin për të ndihmuar në informimin e dislokimeve të njëri-tjetrit.
Siç shkruan BBC, “numri më i lartë i emigrantëve që kanë kaluar prej fillimit të vitit, pjesërisht i atribuohet rritjes së ndjeshme të shtetasve shqiptarë që kryejnë udhëtimet”, ndërsa mediat britanike u kanë kushtuar edhe reportazhe, për të zbuluar mënyrën si funksionon. Deri tani, këtë vit numërohen 12 mijë shqiptarë që kanë mbërritur në Britaninë e Madhe duke përdorur varka të vogla, krahasuar me vetëm 50 në vitin 2020.
Ndërkohë, shqetësim ka qenë edhe etiketimi i shqiptarëve si të lidhur me krimin, çka çoi në një protestë masive në Londër, më 12 nëntor. Pjesëmarrësit kërkuan shkarkimin e sekretares Braverman dhe presin që qeveria britanike t’iu kërkojë falje.