Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, falënderoi Shërbimin Sekret dhe policinë lokale pas asaj që FBI-ja tha se “duket të ishte një përpjekjeje për atentat” në klubin e tij të golfit në West Palm Beach të Floridës.
Unë do të doja të falënderoja të gjithë për shqetësimet dhe urimet tuaja. Sigurisht që ishte një ditë interesante, shkroi Trump në platformën “Truth Social”. Puna u krye në mënyrë të shkëlqyer!
Incidenti në të cilin Trump nuk u dëmtua, ndodhi dy muaj pasi u qëllua në vesh gjatë një veprimtarie të fushatës në Pensilvani. Pjesëtarët e mbrojtjes së ish-presidentit po siguronin zonat e fushës së golfit ku po luante dje kur panë një person të armatosur në shkurre. Agjentët e Shërbimit Sekret qëlluan në drejtim të të dyshuarit, i cili u largua nga zona dhe më pas u arrestua.
I dyshuari la pas një “pushkë AK-47”, një kamerë GoPro dhe dy çanta shpine.
Agjenti i Shërbimit Sekret bëri një punë fantastike, tha sherifi Ric Bradshaw i Zyrës së Qarkut Palm Beach, duke përshkruar punën e agjentit që pikasi “individin e armatosur” dhe qëlloi kundër tij.
Presidenti amerikan Joe Biden tha në një deklaratë duke theksuar se ishte lehtësuar që Trump nuk u dëmtua.
Siç e kam thënë shumë herë, nuk ka vend për dhunë politike apo për çfarëdo dhune tjetër në vendin tonë. Kam udhëzuar ekipin tim që të vazhdojë të sigurojë që Shërbimi Sekret të ketë çdo burim, mundësi dhe masë mbrojtëse të nevojshme për të siguruar ish presidentin.
Zv.presidentja Kamala Harris, e cila kandidon kundër Trump-it në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tha se ishte “thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet e mundshme për atentat ndaj ish-presidentit Trump”.
Siç tha presidenti Biden, administrata jonë do të sigurojë që Shërbimi Sekret të ketë çdo burim, mundësi dhe masë mbrojtëse të nevojshme për të kryer misionin e tij thelbësor.
Burime të ndryshme të mediave kombëtare amerikane, përfshirë Associated Press, The New York Times dhe Fox News Channel, cituan zyrtarë të paidentifikuar që e identifikuan të dyshuarin si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, nga Hawai. Zyrtarët folën me kushtin që të mos u përmendet emri, sepse nuk ishin të autorizuar të diskutojnë hetimet në zhvillim.
Postimet në mediat sociale e shfaqin të dyshuarin Routh që mbështet fushatën zgjedhore të Trump-it në vitin 2020, por në postimet më të fundit ai shfaqet në mbështetje të Biden-it e Harris-it. Gjithashtu, ai shihet se ka diskutuar në mënyrë të përsëritur luftën në Ukrainë dhe dukej se përpiqej të rekrutonte ushtarë për të ndihmuar përpjekjet ushtarake të Kievit.