Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Joe Biden dhe zv.presidentja Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente u informuan mbi përpjekjen për atentat ndaj Trump-it e do të vazhdojnë të marrin informacion për hetimin. Shtëpia e Bardhë shtoi se ata janë “të lehtësuar” që Trump është jashtë rrezikut.
Në një deklaratë, Harris u shpreh “e kënaqur” që Trump është mirë, duke shtuar se “dhuna nuk ka vend në Amerikë”.
Në një postim në platformën X, senatori republikan Lindsey Graham, një nga aleatët kryesorë në Kongresin Amerikan të ish-presidentit Trump, tha se ka folur me të pas incidentit e se ai ishte “në humor të mirë”, si dhe e karakterizoi si “një nga njerëzit më të fortë që ka njohur ndonjëherë”.
Sherifi i qarkut Martin, William D. Snyder, njoftoi se i dyshuari u kap brenda disa minutave pasi FBI-ja, Shërbimi Sekret dhe Zyra e Sherifit të Qarkut Palm Beach lëshuan një mesazh urgjent për të kërkuar mbi një automjet specifik, numrin e targës dhe përshkrimin e personave brenda tij. Snyder shtoi:
Një nga njësitë e patrullës rrugore e pikasi automjetin, kontrolloi targën dhe me ndoqëm makinën. E arritëm makinën, e ndaluam në mënyrë të sigurtë dhe e vendosëm shoferin në paraburgim. I dyshuari nuk ishte i armatosur kur e nxorëm nga makina.
Personi kishte një sjellje të qetë, pa reagime dhe shfaqi pak emocione kur u ndalua nga policia. I dyshuari nuk pyeti se pse ishte ndaluar. Në asnjë moment, nuk pyeti se për çfarë bëhet fjalë?
Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland është informuar për situatën dhe po merr përditësime të rregullta në lidhje me të, siç bërti të ditur një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Ish-presidenti ishte planifikuar t’i kthehej fushatës, duke shkuar nesër në Flint të shtetit Miçigan e më pas, në një tubim fushate në Nju Jork, të mërkurën e 18 shtatorit.
Në fund të javës, ai kishte në plan të merrte pjesë e të fliste në Takimin Kombëtar të Nivelit të Lartë të Këshillit Izraelito-Amerikan në Uashington, DC dhe të shtunën, të mbante një tubim në Uilmington të Karolinës së Veriut.