Aktualitet

Përmbytjet në Vlorë, Rama: Duhet organizim e trajnim i strukturës!

Sot në një takim me kryetarë të bashkive, kryeministri Edi Rama foli edhe për përmbytjet masive në Vlorë nga shirat e dendur e që shkaktuan dëme të shumta. Rama vuri në dukje se sado ekselente të ishte, infrastruktura nuk do të mund ta përballonte dot goditjen e parë. Ndërkaq, deklaroi se struktura duhet të jetë gati, për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit. Nga të gjitha bashkitë kërkoi të ketë një organizim më të mirë të strukturave, si edhe trajnim të tyre. Rama deklaroi:

Eshtë fakt që të gjitha vendet duhet të përballen në periudhën e verës me zjarre, në vjeshtë e dimër me përmbytje. Natyra e këtyre fenomeneve ka ndryshuar dhe ndryshon çdo vit. E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnjë humbën jetën shumë njerëz dhe dëmet e sipërfaqja e plagës së hapur atje janë marramendëse. Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore e tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve të shiut.

Para ca kohësh u bë spektakolare përmbytja në Dubai, ku në harkun e 18 orëve ra një sasi shiu e barabartë me 4 muaj rresht shi në Londër. Nuk ka infrastrukturë, sado ekselente, që të përballojë goditjen e parë. Ajo që ne nuk mund ta neglizhojmë është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivelin vendor, qoftë për zjarret e qoftë për përmbytjet. Duke e marrë te përmbytjet është e domosdoshme të ketë një fokus të veçantë te organizmi i strukturës, trajnimi, aftësimi dhe stërvitja e të gjithë strukturës që duhet të jetë gati për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit. Kur është faza e goditjes nuk ka çfarë bën askush, por e gjithë struktura duhet që të vihet në funksion.

Lidhur me përmbytjet masive në Vlorë, dega e Partisë Demokratike atje kallëzoi institucionet për shpërdorim detyre.