Aktualitet

Përmbytjet në Vlorë, pritet dëmshpërblim edhe për bizneset!

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit të Emergjencave Civile në Vlorë, për t’u njohur nga afër me situatën e përmbytjeve pas shirave.

Kemi 250 forca civile dhe ushtarake në terren në të gjitha zonat e prekura.  Forcat janë angazhuar në mënyrë që të çlirohen ujërat dhe të mundet të vihen në funksionalitet të plotë, qoftë stacionet e pompimit që kanë pasur vështirësi mbrëmjen e kaluar nga gjithë ai vërshim i madh i ujërave të të gjithë zonës, sikundër edhe hidrovori të vijojë punën në kushte optimale. Jemi në një situatë ku po bëjmë të mundur evidentimin e dëmeve në mënyrë që t’i qëndrojmë pranë bizneseve dhe qytetarëve.

Ministri u shpreh se do bëhet e mundur që të evidentohen dëmet e të japin dhe resurset e nevojshme financiare.

Tani është momenti të qëndrojmë pranë qytetarëve, të evidentojmë dëmet dhe të shfrytëzojmë të gjithë ato instrumente financiare e rregullatorë që i japin mundësinë qoftë bashkisë, qoftë Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile që të dëmshpërblejë banorët për të gjitha këto dëme që janë konstatuar dhe të bëjmë të mundur që në një periudhë shumë të shkurtër të japim dhe resurset e nevojshme financiare.

I pyetur për shkaqet, Vengu tha:

E para, ka shkaqe objektive. Kemi një situatë ku në shumë pak orë, vërshuan 20 cm ujë në një zonë gjeografike të limituar dhe këto janë shkaqet e para objektive. Ka edhe shkaqe teknike që lidhen me situatën e të gjithë rrjetit infrastrukturor e të evakuimit të ujërave të zeza dhe të bardha në nivel bashkie e qarku. Këto janë shumë evidente nga të gjithë ekipet në terren që po shohin sot sesi që nga kolektorët e deri tek hidrovoret dhe stacionet e pompimit, situata nuk ka qenë optimale. Na duhet patjetër që të reagojmë e ta përmirësojmë atë përmes investimeve në javët dhe muajt në vijim.

Ministri theksoi se tani është momenti i përgjigjes së emergjencës.

Eshtë momenti që të sigurojmë që banorët të mund të rikthehen në ato banesa, pasi janë detyruar disa dhjetëra prej tyre të largohen. Eshtë momenti që në garazhet e disa pallateve të zbrazen ujërat e të rikthehet energjia elektrike, si dhe të rikthehet jeta normale, në lagjet e qytetit. Eshtë momenti që të bëjmë dhe evidencat e duhura në mënyrë që t’u përgjigjemi banorëve.

Ministri u shpreh se, ndërhyrja ka qene e shpejt dhe e duhur.

Ekipet kane qenë në terren që në momentin e parë. Kanë qenë 3 orë shumë kritike, nga ora 3 deri në orën e 5 e gjysmë 6 të pasdites së djeshme, ku vërshimi ka qenë maksimal dhe i vështirë për t’u menaxhuar dhe aksesi ka qenë i vështirë, por që në atë moment kanë qenë në dispozicion edhe mjetet e kalueshmërisë së lartë të Forcave të Armatosura, edhe fadromat e vendosura në dispozicion qoftë nga strukturat publike dhe private. Bypass-i i Vlorës ka kalueshmëri të plotë 100%. Në orën 17:30 do të ketë një përditësim të situatës.

Më herët reagoi PD-ja.