Aktualitet

Përmbytjet në Vlorë, MM: Rrugët e kalueshme nga mjetet e këmbësorët!

Ministria e Mbrojtjes informon se situata në qytetin e Vlorës është përmirësuar ndjeshëm pas problematikave që sollën reshjet intensive të shiut, ndërsa të gjitha rrugët janë të kalueshme nga mjetet dhe këmbësorët. Po vijon puna për pastrimin e disa akseve nga inertet dhe heqjen e ujit nga garazhet nëntokësore të disa pallateve.

Në ndihmë të Bashkisë Vlorë, janë angazhuar 31 efektivë të FA me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme. Sipas porosisë së lënë në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në Prefekturë është kontaktuar me strukturat lokale për të evidentuar sa më shpejt sipërfaqen e përmbytur, banesat, bizneset, objektet shtetërore, shkollat, objektet kulturore, qendrat shëndetësore, rrugët, automjetet dhe çdo infrastrukturë tjetër të prekur.

Në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit janë dërguar për banorët e prekur 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë. Forcat operacionale do të vijojnë punën deri në kthimin e plotë të situatës në normalitet.

Bashkia e Vlorës po punon për t’u siguruar që qyteti të mbetet i pastër dhe i sigurt për të gjithë. Kryebashkiaku Ermal Dredha:

Ekipet tona po punojnë pa ndalim për pastrimin e rrugëve dhe zonave publike të prekura nga reshjet. Kudo që është e nevojshme, ne jemi atje për të mbajtur qytetin tonë të pastër dhe të sigurt.

Të gjitha strukturat e bashkisë kanë punuar me përkushtim për t’u përballur me pasojat e reshjeve të dendura, duke përfshirë ekipet e pastrimit, shërbimet emergjente, si dhe mbështetjen nga Ministria e Mbrojtjes. Falë solidaritetit, kemi marrë ndihmë nga bashki të tjera, si Shkodra, Tirana, Durrësi, Berati dhe Fieri, për të vendosur situatën nën kontroll sa më shpejt të jetë e mundur.

Përpjekjet tona janë përqendruar për të ndihmuar çdo familje dhe biznes të prekur nga reshjet. Në ditët në vijim, bashkia, së bashku me grupet e dedikuara do të dalë në terren për të ndihmuar qytetarët dhe për t’u siguruar që ata marrin mbështetjen financiare të nevojshme, për të rikthyer normalitetin në jetët e tyre. Si gjithmonë, Bashkia e Vlorës është pranë komunitetit dhe do të bëjë çmos për të mbështetur ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Edhe pse situata ishte përtej parashikimeve dhe mundësive tona, me reshje prej 180 mm në dy orë, jemi të vendosur të mos ndalemi për të adresuar çdo problem që do të dalë.