Aktualitet

Përmbytjet në Vlorë, ministri Vengu: Situatë e përmirësuar pas ndërprerjes së reshjeve!

Me ndërprerjen e reshjeve, përmirësohet situata e përmbytjeve në Vlorë, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm e që zhytën në ujë pjesën më të madhe të qytetit bregdetar jugor. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, në disa zona, energjia është ndërprerë për shkak se kabinat elektrike kanë prezencë uji. Dje në Vlorë u evakuan 33 familje që u sistemuan në konvikte. Po ashtu, pritet përllogaritja e dëmeve që mendohet se do të jenë të mëdha, pasi ujërat vërshuan edhe në biznese, përveçse në rrugë e në banesa.

Në Vlorë po punohet për largimin e ujit në blloqet e banesave mes akseve të bllokuara te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji dhe brenda xhamisë. Efektivët e FA po punojnë te stacioni kryesor i pompimit. Hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujërave.

Deklarata e plotë:

Të gjitha strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë të angazhuara në terren që prej pasdites së djeshme, për të riparuar të gjitha problematikat e shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë. Si pasojë e punës së bërë gjatë gjithë natës dhe ndërprerjes së reshjeve, situata është përmirësuar.

Aktualisht, puna e të gjitha strukturave: Bashkisë së Vlorës, UK Rajoni Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë, OSHEE, Prefekturës, është përqendruar në 4 kryqëzime ende të bllokuara në qytetin e Vlorës, i cili u prek më shumë nga situata e keqe e motit në 24 orët e fundit.

Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse.

Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit.

Efektivët e FA po punojnë me dy pompa për largimin e ujit nga stacioni kryesor i pompimit, ku ende vazhdon të ketë prezencë uji.

Hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujit.

Është stakuar energjia elektrike në disa blloqe banesash të qytetit, kryesisht aty ku gabinat elektrike kanë prani uji.

Situata vazhdon të ndiqet në terren nga autoritetet vendore dhe Drejtori i Gadishmërisë dhe Veprimeve Operacionale në AKMC.

Sot vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti mbetet me alternime kthjellimesh e vranësirash, deri të dendura e me shira. Reshjet mbeten prezente, lokalisht me shtrëngata afatshkurtra. Temperaturat luhaten në 12-28 gradë celcius.