Aktualitet

Përmbytjet në Vlorë, garazhet ende me ujë!

Pas përmbytjeve masive të para dy ditëve në Vlorë, sot konstatohet se ujërat janë tërhequr nga rrugët e lagjeve më të goditura të qytetit bregdetar jugor. Kjo vlen edhe për zonat e Kishës Ortodokse e te “Albano dhe Romina”. Por, jo nga garazhet. Mësohet se Bashkia e Vlorës ka bërë planin për të ndërhyrë në 9 të tillë. Kryebashkiaku Ermal Dredha tha se kanë një strategji të qartë. Bashkia e Vlorës po punon për t’u siguruar që qyteti të mbetet i pastër dhe i sigurt për të gjithë.

Kryebashkiaku Ermal Dredha:

Ekipet tona po punojnë pa ndalim për pastrimin e rrugëve dhe zonave publike të prekura nga reshjet. Kudo që është e nevojshme, ne jemi atje për të mbajtur qytetin tonë të pastër dhe të sigurt.

Dredha po inspekton nga afër në çdo lagje, për të evidentuar problematikat dhe dëmet e shkaktuara nga reshjet ndërsa mbrëmjen e djeshme tha:

Të gjitha strukturat e bashkisë kanë punuar me përkushtim për t’u përballur me pasojat e reshjeve të dendura, duke përfshirë ekipet e pastrimit, shërbimet emergjente, si dhe mbështetjen nga Ministria e Mbrojtjes. Falë solidaritetit, kemi marrë ndihmë nga bashki të tjera, si Shkodra, Tirana, Durrësi, Berati dhe Fieri, për të vendosur situatën nën kontroll sa më shpejt të jetë e mundur.

Përpjekjet tona janë përqendruar për të ndihmuar çdo familje dhe biznes të prekur nga reshjet. Në ditët në vijim, bashkia, së bashku me grupet e dedikuara do të dalë në terren për të ndihmuar qytetarët dhe për t’u siguruar që ata marrin mbështetjen financiare të nevojshme, për të rikthyer normalitetin në jetët e tyre. Si gjithmonë, Bashkia e Vlorës është pranë komunitetit dhe do të bëjë çmos për të mbështetur ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Edhe pse situata ishte përtej parashikimeve dhe mundësive tona, me reshje prej 180 mm në dy orë, jemi të vendosur të mos ndalemi për të adresuar çdo problem që do të dalë.

Partia Demokratike, dega Vlorë, reagoi për përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara në qytetin bregdetar jugor. Kryetari Atird Hoxha, i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet se sipas tij “nuk janë marrë masat e duhura dhe s’ka pasur reagim në kohë duke krijuar edhe këtë situatë të rëndë” në qytetin e Vlorës.

Përmbytjet e fundit që kanë goditur qytetin tonë kanë sjellë pasoja të rënda për shumë familje dhe pronat e tyre. Fatkeqësisht, këto ngjarje të rënda dhe të përsëritura janë pasojë e mungesës së investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën urbane dhe planifikimin afatgjatë nga ana e bashkisë dhe qeverisë së Rilindjes. Qyteti nën ujë, është një tregues i qartë i papërgjegjshmërisë në menaxhimin e tij.

Përfundimisht, kjo qeveri, ky model nuk kanë më turp e cipë dhe nuk duan të dinë më për qytetin e qytetarët. Mungesa e energjisë elektrike në të gjithë qytetin për orë të tëra ka përkeqësuar gjendjen në shumë zona për shkak të mosfunksionimit të sistemeve. Vlora dhe vlonjatët nuk e meritojnë këtë.

Në këto kushte Partia Demokratike Dega Vlorë i bën thirrje Prokurorisë të nisi menjëherë hetimin për situatën e krijuar në qytetin tonë pasi është e qartë se nevoja për masa paraprake dhe efektive nuk është përmbushur, duke lënë qytetin të pambrojtur e në mëshirën e fatit.