Bota

Përmbytje në Mianmar, mbi 200 viktima!

U rrit në më shumë se 200 numri i personave që humbën jetën si pasojë e tajfunit Yagi në Mianmar. Bilancin e konfirmoi qeveria ushtarake e vendit aziatik. Stuhia përfshiu dhe Vietnamin verior, Laosin, Tajlandën krahas Mianmarit në fillim të muajit e deri tani i ka marrë jetën mbi 500 vetëve në të gjithë rajonin, referuar shifrave zyrtare.

Gjithashtu, shkaktoi përmbytje të rënda e rrëshqitje dheu në Mianmar ku janë të paktën 226 viktima. Po ashtu, shkatërroi qindra mijëra hektarë me të mbjella e për pasojë, OKB-ja tha se më shumë se gjysmë milion njerëz kanë nevojë urgjente për ushqime, si edhe për ujë të pijshëm, strehim e veshje.

Kombet e Bashkuara vunë në duke se përmbytjet më të fundit janë dhe ndër më të këqijat në historinë e Mianmarit. Agjencia e OKB-së për Reagimin ndaj Fatkeqësive vlerëson se rreth 630 mijë njerëz janë prekur nga përmbytjet, për shkak të bllokimit të rrugëve, dëmtimit të urave e ndërprerjes së linjave të komunikimit.

Edhe pa pasojat e tajfunit, Mianmari është i shkatërruar nga lufta civile që ka përfshirë këtë vend që në vitin 2021, kohë kur ushtria mori pushtetin nga qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike. Që nga ajo periudhë, mijëra njerëz janë vrarë e miliona të tjerë u detyruan që të largohen nga shtëpitë e tyre. Aktualisht, grupe të ndryshme të rezistencës së armatosur luftojnë kundër juntës ushtarake që mban pushtetin.

Moti i keq me shira shkaktoi probleme edhe në Shangai ku një tajfun i fuqishëm goditi qendrën financiare të Kinës. Bebinca “zbarkoi” dje rreth orës 07:30 minuta të mëngjesit me atë lokale, në zonën bregdetare Lingang Nju Siti, siç bëri të ditur Administrata Meteorologjike e Kinës. Mijëra banorë u evakuuan, ndërsa të gjitha fluturimet në të dyja aeroportet kryesore të qytetit u anuluan.

Shërbimet e trenave ndaluan dhe autostradat u mbyllën, gjithashtu. Tajfuni Bebinca është stuhia më e fortë që ka goditur Shangain në 75 vjet, referuar medias shtetërore kineze. Autoritetet lëshuan alarmin e kuq që është niveli më i lartë i rrezikut. Kjo për shkak të erërave që kaluan shpejtësinë prej 150 kilometrash në orë.

Më herët, tajfuni Bebinca kaloi edhe në Japoni e në Filipinet qendrore dhe jugore, ku nga rënia e pemëve humbën jetën gjashtë persona. Nga Azia në Europë, stuhia Boris me shi e përmbytje ka shkaktuar të paktën 15 viktima në Rumani, Austri, Çeki e Poloni.