Aktualitet Politikë

“Përmbushi reformat e kërkuara”- Varhelyi publikon fotot nga Luksemburgu: Përgëzojmë Shqipërinë për punën e përkushtuar!

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi shprehet se Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, është një moment historik për Shqipërinë në procesin e integrimit.

Ndërsa ka ndarë disa foto nga Luksemburgu së bashku me kryeminstrin Rama, Varhelyi shkruan se Shqipëria ka përmbushur reformat dhe e përgëzon për punën e përkushtuar.

“Shqipëria sapo arriti një moment historik të madh në procesin e saj të integrimit në BE. Në #IGC- në e sotme përgëzojmë vendosmërinë dhe punën e përkushtuar të Shqipërisë. Ndërsa Shqipëria përmbushi reformat e kërkuara, ne jemi në gjendje të hapim Klasterin e Parë, Bazat që na lejojnë të vazhdojmë me grupe të tjera”, shkruan Varhelyi.

 

Zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri – BE do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Grupkapitullin e parë një ndër më të rëndësishmit, pasi prek fusha thelbësore, siç janë; drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike.

Në këtë grup, siç quhet ndryshe edhe ‘bazat’ ose ‘themeloret’, përfshin edhe prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar. Ky grup-kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.