Aktualitet

Përgjaken rrugët e vendit, dy viktima në dy aksidente!

Dy aksidente rrugore me dy viktima u shënuan sot në veri e në jug të vendit tonë. Në aksin Koplik-Bajzë, një makinë përplasi për vdekje një 66-vjeçar që lëvizte me biçikletë. Në fshatin Topojë të Fierit, shoferi i një automjeti humbi kontrollin e tij dhe goditi një motor, drejtuesi i të cilit, për fat të keq humbi jetën. Grupet hetimore po punojnë për të zbardhur rrethanat e aksidenteve, më të fundit që përgjakin rrugët shqiptare.

Rreth orës 10:50, në fshatin Topojë, Fier, shtetasi A. M., duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin V.S. Si pasojë e përplasjes, shtetasi V. S., ka humbur jetën. Shtetasi A. M., është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Katër aksidente rrugore ndodhën fundjavën që po lëmë pas në Tiranë, me pasojë vdekjen e një gruaje 66-vjeçe, si dhe plagosjen në total të gjashtë personave të tjerë.

Shtetasi Xh.S., 26 vjeç, banues në Tiranë ra në pranga pasi, përplasi për vdekje F.S., 66 vjeçe në rrugën “Besim Alla”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”. Gruaja nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë në spital.

Një tjetër aksident ndodhi në kryeqytet, kur shtetasi A.Xh., 37 vjeç, banues në Tiranë duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen” është përplasur me automjetin tip “Toyota” me drejtues shtetasin F.T. dhe më pas me dy automjete tip “Benz” me drejtues shtetasit E.G. e G.K. Për pasojë u dëmtuan drejtuesit e automjeteve dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 37-vjeçari përfundoi në prangat e bluve.

Një 24-vjeçare u dërgua në spital pasi u përplas në Rrugën e Dibrës nga një automjet tip “Opel”. Xh.B., 24 vjeçe ndodhet në spital dhe I.M., 25 vjeç, banues në Vorë, ra në prangat e policisë.

Ndërkaq, shtetasi me iniciale I.H., 32 vjeç, banues në Tiranë u arrestua nga uniformat blu pasi në aksin rrugor në drejtim të Lanabregasit duke drejtuar motomjetin në sens të kundërt me lëvizjen u përplas me motomjetin me drejtues shtetasin P.H., 41 vjeç. Për pasojë u dëmtuan të dy drejtuesit e motomjeteve dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.