Bota

Përfundon trajnimi amerikan në Gjermani për grupin e parë të luftëtarëve ukrainas!

Përfundon një trajnim i avancuar pesë-javor amerikan në Gjermani për 635 luftëtarë ukrainas për aftësitë e sofistikuara luftarake dhe mjetet e blinduara. Trupat iu nënshtruan një kursi intensiv që i përgatit të marrin automjetet luftarake Bradley e M109 Paladins në fushëbetejë. Stërvitja ushtarake pritet të jetë vendimtare në ofensivën e ardhshme të pranverës kundër rusëve.

Një grup i dytë prej rreth 710 trupash ukrainase ka mbërritur në zonën e trajnimit Grafenwoehr të Gjermanisë. Në tetor të vitit të kaluar, Këshilli i Bashkimit Europian krijoi një mision për ndihmë ushtarake në Ukrainë (EUMAM Ukraine), misionin e parë të këtij lloji, të cilin BE-ja e ndërmerr kolektivisht.

Sipas marrëveshjes, deri në 15 mijë ukrainas do të trajnohen në territorin europian, por jepet mundësia që në përputhje me nevojat, shifra të rritet. Ndër vendet që kanë ofruar territorin për stërvitjen e ushtarëve ukrainas janë Gjermania e Polonia. Gjithashtu, Berlini synon të dërgojë rreth 30 tanke për të ndihmuar forcat ukrainase që të luftojnë pushtimin rus. Kjo pasi Gjermania u përball me presion nga Kievi dhe mbështetësit e tij që të japë dritën jeshile për lejimin e dërgimit të tankeve.

Por, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pas takimit me homologët e NATO-s në Bruksel, tha se deri më tani kanë mbledhur vetëm 14 tanke të rinj Leopard të llojit A6 dhe tre nga Portugalia. Gjermania, Polonia e Ukraina zhvilluan bisedime me të tjerë anëtarë të NATO-s në prag të samitit në Bruksel të martën, në përpjekje për të siguruar më shumë tanke për Kievin.

Pistorius tha se do të kenë të tjera bisedime më vonë gjatë kësaj jave, me donatorë potencialë. Nga mbështetësit perëndimorë, Ukraina kërkon t’i dërgojnë tanke moderne, që të luftojë ofensivën ruse. Edhe Varshava zotohet të dërgojë një batalion me Leopard 2 në Kiev e aktualisht është duke trajnuar trupat ukrainase për t’i përdorur këto tanke.