Aktualitet

Përfundon shqyrtimi i 113 aplikimeve për kompensim nga ATP!

Agjencia e Trajtimit të Pronave, ATP ka përfunduar procesin e shqyrtimit të 113 aplikimeve për kompensim. Kjo u bë e ditur nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Aplikuesit do të përfitojnë këstin e parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të kompensimit në të holla në një total prej 70% të vlerës totale.

Ndër të tjera, Manja vuri në dukje se “fondi financiar që shpërndahet nga ATP-ja për këto 113 aplikime është në vlerën e 247 062 129,76 lekëve”.

Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Për 113 aplikimet e mësipërme, për të cilat ka përfunduar procesi i shqyrtimit nga ana e ATP-së, ka rezultuar se dokumentacioni i tyre është në përputhje me kriteret e përcaktuara në VKM “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar.

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë të depozituara në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.