Aktualitet

Përfundon ndërtimi i rrugës Korçë- Ersekë/Rama: Nxit turizmin!

Në juglindje ka përfunduar ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, një vepër e rëndësishme për infrastrukturën e vendit tonë, por gjithashtu një destinacion për turistët edhe për shkak të pamjes panoramike që ofron. Kryeministri Edi Rama publikoi imazhe nga aksi i përfunduar, i cili lidh dy bashkitë për 20 minuta, teksa vuri në dukje se kjo rrugë do të krijojë kushte optimale për banorët, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit që ka nisur me hapa të shpejtë në Kolonjë e Leskovik, deri dje të izoluar.

Ja edhe rruga e rilindur Korçë-Ersekë e përfunduar, si një aks i ri që i lidh dy bashkitë për 20 minuta dhe krijon kushte optimale transporti për banorët, prodhimet bujqësore po edhe nxitjen e mëtejshme të zhvillimit të turizmit që ka nisur me hapa të shpejtë edhe në Kolonjën e në Leskovikun e deri dje braktisur dhe izoluar krejtësisht.

Shefi i qeverisë kishte një përgjigje edhe për akuzat e opozitës, pas shembjes së një pjese të aksit në shkurt të këtij viti. Sipas Ramës, gjithçka u rindërtua me shpenzimet e bëra të gjitha nga firma.

U vunë shumë kuje e hodh shumë baltë për një rrëshqitje të rrugës gjatë punimeve, e cila u rindërtuar me shpenzimet e bëra tërësisht nga firma. Qesh mirë kush qesh i fundit.

Aksi rrugor Korçë-Ersekë kishte një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa tani, distanca për ta përshkuar, shkurtohet në 35 kilometra, pra 10 km më pak. Vlerësohet se ndërtimi i kësaj rruge nxit zhvillimin e mëtejshëm turistik të juglindjes së vendit duke afruar më pranë dy zona me mjaft potenciale, siç janë Korça dhe Erseka.

Më herët gjatë ditës, shefi i qeverisë publikoi në rrjetet sociale pamje nga kantieri i rrugës Shëngjin-Velipojë duke e cilësuar si “një investim strategjik në fushën e turizmit”. Në postimin e tij, Rama shtoi edhe se “do të jetë ndër akset më panoramike të Shqipërisë”.