Ai është spektakli më i madh i kërcimit në vend. Dhe bëhet fjalë për “Dancing With The Stars”, show-n magjik të kërcimit, i cili u mirëprit nga shqiptarët në të gjithë botën, pasi jo vetëm gjatë transmetimit live, por edhe klikimet në youtube dhe ndjekësit në Instagram e vërtetojnë këtë.
“Dancing With The Stars” është një nga spektaklet më të ndjekura dhe më të suksesshme deri më tani. Personazhet VIP dhe artistët pjesë e kastit të “DWTS” së bashku me balerinët profesionistë dhurojnë show çdo të premte.
Edhe nata e djeshme padyshim që ishte një garë mjaft e fortë mes konkurrentëve. Sigurisht nuk munguan debatet, por edhe momentet emocionuese. Fatkeqësisht ashtu si çdo natë, mbrëmja e djeshme përfundoi me një të eliminuar. Ishte Deborah Keçi dhe balerini profesionit Niko Spiro që e lanë spektaklin pas një përballje në kërcim me Julka Gramon dhe Silvester Shuta. Në fund të konkurrimit, Deborah u shpreh:
Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Faleminderit për ftesën në radhë të parë. Nuk e kam menduar asnjëherë që do të kërceja në një skenë të tillë, aq më tepër që të shkoja deri tek java e shtatë. Faleminderit produksionit për punën e jshtëzakonshme, jurisë, të gjithë konkurrentëve. Faleminderit Nikos që ka qenë me mua gjatë gjithë kohës.
Me hapa të shpejtë e të saktë, por mekanikë, e cilësoi juria kërcimin e kësaj mbrëmjeje të sportistes Deborah Keçi dhe Nikos. Çifti performuan një swing, që Deborah tha se e shijoi dhe se po përpiqej të ishte e saktë, “pavarësisht se ka lindur për të bërë sport”, por anëtarët e jurisë kritikuan ngurtësinë e hapave.
Java që vjen gjithashtu premton shumë emocione. E premtja e ardhshme në “Dancing With the Stars” do të jetë një natë speciale që do t’i dedikohet valleve më të bukura të trevave shqipfolëse. E konceptuar si një festë e madhe, spektakli i kërcimit do t’i dedikohet folklorit dhe traditës popullore shqiptare.