Health & Beauty Lifestyle

Përfitimet e rënies në peshë pas të 50–ave te gratë!

Humbja e kilogramëve të tepërt dhe ruajtja e një peshe të shëndetshme trupore është padyshim një e mirë e jashtëzakonshme që mund t’i bëni organizmit. Këto hapa konsiderohen të rëndësishëm në çdo moshë, por pas të pesëdhjetave ato janë të domosdoshme.

Pas kësaj moshe, trupi i një njeriu e ka më të lehtë të shtojë në peshë për shkak të ndryshimeve të metabolizmit dhe ato hormonale. Shtimi në peshë pas të 50-ave është i rrezikshëm sepse shton premisat e sëmundjeve si diabeti apo ishemia.

Mbipesha në të pesëdhjetat shoqërohet me një rrezik të rritur për shfaqjen e demencias. Këtë e thotë një studim i publikuar në revistën mjekësore Alzheimer’s & Dementia që nxjerr në pah se kjo gjë nuk ndodh në të gjashtëdhjetat apo shtatëdhjetat. Shkencëtarët nuk e shpjegojnë dot saktësisht përse ndodh megjithatë ata hamendësojnë se kjo ka të bëjë me mikrobiomën, ekuilibrat e së cilës luhaten fort me kalimin e moshës.

Afshet e nxehtësisë që asociohen me menopauzën janë të përhapura tek gratë mbi moshën 50 vjeçe. Sa më mbipeshë të jenë gratë në menopauzë aq më shumë afshe të tilla janë të pritshme. Studimet thonë se sa më mbipeshë të jetë një grua, aq më të ashpra do të jenë simptomat e përgjithshme të menopauzës.

Rënia nga pesha e tepërt është e domosdoshme edhe kundër osteoartritit, sëmundje shumë e përhapur në këtë moshë që shkakton enjtje, dhimbje dhe ngurtësim të kyçeve. Rënia nga pesha i zbut simptomat dhe lehtëson lëvizshmërinë e cunguar si pasojë e këtyre problemeve.

Gratë mbi të pesëdhjetat janë më të rrezikuara nga kanceri që nxitet nga ndryshimet hormonale. Sa më shumë depozita dhjamore të ketë një grua në këtë moshë, aq më të larta janë gjasat e shfaqjes së kancerit te gjirit.