Përdoruesit e WhatsApp që kalojnë në një iPhone nga Androidi tani mund të marrin historikun e mesazheve me vete. Lajmin e ka bërë të ditur, shefi i kompanisë Mark Zuckerberg përmes një postimi në Facebook, teksa specifikoi se kjo veçori ishte shumë e kërkuar.
Deri më tani ka qenë i mundur transferimi i të dhënave të WhatsApp-it vetëm nga ana tjetër, nga një iPhone në platformën Android të Google dhe u prezantua vetëm vitin e kaluar. Ndërkaq, Zuckerberg ka shkruar në Facebook se:
Ne po i shtojmë WhatsApp-it aftësinë për të kaluar në mënyrë të sigurt midis telefonave dhe për të transferuar historikun tuaj të bisedave, fotot, videot dhe mesazhet zanore midis Android dhe iPhone duke ruajtur edhe sistemin për sigurinë në biseda (end-to-end encryption). Kjo është një veçori shumë e kërkuar. Ne lançuam funksionin për të kaluar nga iPhone në Android vitin e kaluar dhe tani po shtojmë veçorinë nga Androidi në iPhone gjithashtu.
Rikujtojmë, se WhatsApp me sa duket do të vijë me një risi të re. Së bashku me mundësinë e përdorimit të një llogarie të vetme në dy telefona të ndryshëm, mundësia për të redaktuar mesazhet pas dërgimit është një nga funksionet më të kërkuara mes mbi 2 miliard përdoruesve të WhatsApp në botë. Dhe kompania, e cila është pjesë e grupit Meta, duket e gatshme t’i dëgjojë. Nga një pamje e ekranit e publikuar nga Wabetainfo, së shpejti do të jemi vërtet në gjendje të ndryshojmë tekstin e një mesazhi pas dërgimit të tij.