Platforma e mediave sociale Bluesky ka parë më shumë se 700,000 përdorues të rinj në javën që nga zgjedhjet në SHBA. Kjo pasi, përdoruesit kërkojnë t’i shpëtojnë dezinformatave dhe postimeve fyese në X. Fluksi, kryesisht nga Amerika e Veriut dhe Britania e Madhe, ka ndihmuar Bluesky të arrijë 14.5 milionë përdorues në mbarë botën, nga 9 milionë në shtator. Studiuesi i mediave sociale Axel Bruns tha se platforma ofronte një alternativë ndaj X-it, dikur Twitter, duke përfshirë një sistem më efektiv për bllokimin ose pezullimin e llogarive problematike dhe kontrollimin e sjelljeve të dëmshme.
“Është bërë një strehë për njerëzit që duan të kenë përvojën e mediave sociale që ofronte Twitter, por pa të gjithë aktivizmin e ekstremit të djathtë, keqinformimin, gjuhën e urrejtjes, robotët dhe gjithçka tjetër”-tha ai. Bluesky filloi si një projekt brenda Twitter, por u bë një kompani e pavarur në 2022 dhe tani është kryesisht në pronësi të shefit ekzekutiv Jay Graber. Platforma ka përfituar më parë nga pakënaqësia me X dhe pronarin e saj miliarder, Elon Musk, i cili është i lidhur ngushtë me fushatën e suksesshme zgjedhore të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
Ndërkaq, rrjeti social X deri më tani ka kufizuar chatbotin e tij të AI Grok duke e ofruar vetëm me pagesë. Megjithatë, platforma me sa duket po përgatitet të ofrojë chatbotin edhe falas. Gjatë fundjavës, disa studiues dhe përdorues të aplikacioneve shkruan rreth një versioni falas të Grok që u vihej në dispozicion njerëzve në rajone të caktuara. TechCrunch ishte në gjendje të konfirmonte që X të paktën po teston qasjen falas në Grok për përdoruesit në Zelandën e Re.
Bëhet e ditur se për të përdorur Grok falas, llogaria juaj duhet të jetë së paku shtatë ditë e vjetër dhe të ketë një numër telefoni të lidhur me të. xAI prezantoi Grok-2 në gusht me kapacitetet e gjenerimit të imazhit, të mbështetur nga modeli FLUX.1 i Black Forest Labs. Në fund të muajit të kaluar, kompania i dha modelit gjithashtu aftësinë për të kuptuar imazhet. Të gjitha këto veçori ishin të disponueshme vetëm për përdoruesit Premium dhe Premium+ deri më tani.