E ftuar në “Live from Tirana” ishte mjekja endokrinologe Sara Zavalani për të folur rreth problemeve hormonale të meshkujve dhe femrave, si dhe shenjat e para që na tregojnë se duhet t’i drejtohemi një mjeku.
Nga ana tjetër, duket se përdorimi i Ozempic për të rënë në peshë është kthyer tashmë në një trend. Nisur fillimisht nga VIP-at e huaj por më pas dhe tek njerëzit e thjeshtë, përdorimi i këtij medikamenti filloi të krijonte dhe mungesa në treg për ata që kishin vërtetë nevojë për të. Por sa e këshillueshme është marrja e këtij ilaçi? Ja çfarë na tregon mjekja endokrinologe Sara Zavalani…
Ozempic është një medikament kundër diabetit, antidiabetik, që përdoret për të ulur sheqerin në gjak, pra duhet të përdoret për diabetikët. Si një nga efektet anësore të Ozempic është dhe rënia në peshë. Pra nuk përdoret për rënie peshe, është për pjesën e trajtimit ndaj diabetit dhe si efekt anësor ka rënien në peshë. Për këtë arsye duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur e përdorim. Për ata që e përdorin për rënie peshe, duhet të bëjnë si fillim një matje sheqeri. Nuk mund ta përdorin ata që e kanë sheqerin në minimumin e normës, sepse bëjnë rënie sheqeri.