Film & Tv

Përdorimi i inteligjencës artificiale në disa dokumentarë, përdoruesit e Netflix të shqetësuar!

Përdoruesit e Netflix po ankohen për përdorimin e inteligjencës artificiale në episodet e një serie të re dokumentarësh që po ngjitet në top-listat në platformën e transmetimit. “Dirty Pop: The Boyband Scam” u publikua në Netflix të mërkurën dhe seriali me tri episode po rritet me shpejtësi në vlerësime. Megjithatë, pavarësisht nga popullariteti i dokumentarit, shikuesit vunë në dyshim përdorimin e inteligjencës artificiale për të përsëritur zërin dhe pamjen e subjektit kryesor të serialit, të ndjerit Lou Pearlman.

“Dirty Pop” tregon ngritjen dhe rënien e Pearlman, krijuesit të grupeve ikonike të djemve të viteve nëntëdhjetë, si Backstreet Boys dhe NSYNC. Në vitin 2016, ish-menaxheri vdiq në burg në moshën 62-vjeçare, pasi u deklarua fajtor për konspiracion, pastrim parash dhe deklarata të rreme gjatë procedurave të falimentimit. Në minutat e hapjes së episodit të parë, shikuesit u informuan se do të shihnin pamjet e ndryshuara në mënyrë digjitale të Pearlman duke treguar shkrimet e tij në serial.

“Ky regjistrim është ndryshuar për të gjeneruar sinkronizimin e zërit dhe buzëve të tij”-thuhet në mesazhin në ekran. Disa shikues u ankuan për vendimin për të përdorur inteligjencën artificiale dhe Twitter u vërshua me komente të ngjashme.

“Për këdo që ka vendosur ta bëjë AI-n e Lou Pearlman rrëfyesin e këtij dokumentari “Dirty Pop” në Netflix, kjo është e turpshme”- lexohej në njërin prej tyre. Një tjetër e quajti përdorimin e AI “aq të neveritshme dhe të tmerrshme” sa nuk do ta përfundojë serialin, ndërsa të tjerë shkruan komente si: “Nuk e kuptoj se çfarë ata po mendonin”.

Në një intervistë të re me Netflix, producenti ekzekutiv Michael Johnson tha: “Ne siguruam të drejtat e jetës së Lou; ne përdorëm vetëm fjalë të shkruara nga vetë Lou; ne punësuam një aktor për t’i thënë ato fjalë; ne përdorëm pamjet reale e Lou për të kapur sjelljet e tij të vërteta dhe gjuhën e trupit dhe ne punësuam ekspertë të inteligjencës artificiale nga MIT Media Lab, Pinscreen dhe Resemble AI për të sjellë në jetë vizionin tonë.”

Duke shpjeguar vendimin e tij për të përdorur inteligjencën artificiale, Johnson shtoi: “Ishte e rëndësishme për ne që të përcillnim fjalët e shkruara në librin e Lu në këtë mënyrë, sepse shkrimi i tij është një pasqyrim i realitetit të tij që ai donte që të gjithë të besonin”.

Dirty Pop përmban intervista me anëtarët e Backstreet Boys dhe NSYNC rreth marrëdhënies së tyre të trazuar me Pearlman. Të dy grupet u ndanë publikisht me të, duke pretenduar se nuk u kompensuan siç duhet për suksesin e tyre pavarësisht shitjeve të rekordeve.

Në vitin 1998, Backstreet Boys paditi Pearlman, duke pretenduar se ata kishin fituar vetëm 300,000 dollarë që nga viti 1993, ndërsa ai kishte fituar 10 milionë dollarë. Një vit më pas, në 1999, NSYNC paditi gjithashtu menaxherin e talenteve për të përfunduar kontratën e tyre origjinale me kompaninë e tij diskografike, Trans Continental Records.

Të dy grupet përfundimisht ndërprenë lidhjet me Pearlman, i cili hasi në telashe të mëtejshme ligjore kur u zbulua se po drejtonte një nga skemat më të mëdha Ponzi në historinë amerikane.

Në vitin 2008, Pearlman u dënua me 25 vjet burg për vjedhjen e më shumë se 300 milionë dollarëve nga investitorët. Ai ndërroi jetë nga një atak në zemër 8 vjet më vonë, ndërsa ishte në paraburgim federal në Miami.