Music

Përcaktohet vendi, festivali Sunny Hill do të mbahet në Parkun e Gërmisë në Prishtinë!

Në fillim të muajit gusht, festivali i muzikës Sunny Hill pritet të mbahet në Parkun e Gërmisë në Prishtinë. Për vendin e zhvillimit që deri tani nuk dihej, njoftimin e dha sot kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Në një postim në Facebook, shkruan:

Janë siguruar lejet e nevojshme për mbajtjen e festivalit në Gërmi, në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022. Për shkak të kufizimeve të hapësirës në Parkun e Gërmisë, këtë vit Sunny Hill Festival do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që ka festivali.

Sunny Hill Festival është zotuar se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar dhe pastrimi e rigjenerimi i parkut do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival.

Detajet lidhur me vendin e zhvillimit, vijnë disa ditë pasi u bë e ditur se përfundimisht, festivali do të jetë në Prishtinë, duke “rrëzuar” një vendim fillestar që të largohej nga Kosova.

Më 14 qershor, themeluesi dhe organizatori i këtij eventi të njohur muzikor, Dukagjin Lipa, babai i artistes me famë botërore, Dua Lipa, pati bërë të ditur që Sunny Hill do të zhvendosej në Tiranë, “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes e vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.

Palët ishin në diskutime për dhënien në shfrytëzim për 99 vjet, të një parcele prej 17 hektarësh, në fshatin Bërnicë e Poshtme. Por, më 20 qershor ranë dakord që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës, të diskutohet edhe pak kohë, deri në gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme. Më tej u tha se “një edicion i veçantë me të tjerë këngëtarë do të mbahet në Tiranë, më 26, 27 dhe 28 gusht”.

Festivali është themeluar nga Fondacioni Sunny Hill, i Dua Lipës, ndërsa edicioni i parë u mbajt në vitin 2018. Ai i 2020-ës u anulua për shkak të pandemisë koronavirus.