Bota

Përbërja e re e KE-së, Marta Kos për eurokomisionere e Zgjerimit!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paraqiti përbërjen e re të Komisionit Europian, e që do të ketë mandat pesëvjeçar. Postin e euro-komisioneres për Zgjerimin ka vendosur t’ia ndajë kandidates nga Sllovenia, Marta Kos. Por zyrtarisht,  Kos do të emërohet vetëm nëse merr mbështetjen e Parlamentit të Sllovenisë e të Parlamentit Europian e nuk është nominuar formalisht nga vendi i saj.

Çdo anëtar i ekipit tim do të sjellë përvojën dhe perspektivat e veta për Europën, shkroi von der Leyen në platformën X.

Portofoli i zgjerimit ka rëndësi të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse të gjashtë vendet e tij, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia e Turqia janë në proces. Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate e disa edhe në negociata për anëtarësim.

Kandidatura e Kosit ka shkaktuar polemika në Slloveni, pasi opozita nuk dëshiron që ta mbështesë e as të caktojë seancë dëgjimore në Komisionin përkatës parlamentar. Në momentin e fundit, autoritetet sllovene ndërruan kandidatin e tyre, për të ndihmuar von der Leyen-it të rrisë numrin e grave në Komision, pasi ishte më pak se një e treta.

Por, kërkesa e von der Leyen-it u pa si ndërhyrje nga disa, në sovranitetin e një vendi anëtar të BE-së. Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane të Parlamentit të Sllovenisë, Franc Breznik, i cili vjen nga opozita, refuzoi ta vendosë në rend dite konfirmimin e Kos-it.

Për pasojë, von der Leyen nuk mundi ta propozonte Komisionin e ri më 10 shtator, kur ishte e planifikuar, por e shtyu për sot. Ajo e ka bërë tani këtë propozim, me pritjen që edhe Sllovenia ta përfundojë ndërkohë procedurën e saj.

Opozita në Slloveni ka akuzuar Kos-in se ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret komunist të ish-Jugosllavisë. Kos ka qenë ambasadore e Sllovenisë në Gjermani e në Zvicër. Më herët ka punuar edhe në Qeverinë e Sllovenisë si drejtore për Raportet me Mediat.

Sipas traktateve të BE-së, çdo vend anëtar ka të drejtë të ketë një komisioner. Për rrjedhojë, Komisioni Europian ka po aq sa edhe vende anëtare, përkatësisht 27. Von der Leyen ka përsëritur disa herë se gjatë mandatit të ardhshëm 5-vjeçar do ta ketë prioritet zgjerimin e BE-së.