“Katër emigrantë të paligjshëm në qendër kampi pranë Heathrow-t, përdorën platformën e mediave sociale për të diskutuar mënyrat për të shmangur largimin nga Britania e Madhe”, shkruan Telegraph që kapi videon e komunikimit të shqiptarëve në TikTok.
Emigrantët shqiptarë janë këshilluar të shkulin dhëmbët e tyre për t’i shpëtuar dëbimit. Përmes një videoje live në TikTok, diskutonin mënyrat si ata mund të shmangnin dëbimin duke u arratisur nga Qendra e Largimit të Emigracionit Colnbrook pranë Heathrow-t, ku mbahen para transferimit në Shqipëri.
Shqiptarët flasin me një tjetër bashkëkombas, që pretendon se kishte arritur të arratisej nga qendra e largimit të sigurt, në vitin 2018. Ai dëgjohet duke i këshilluar të marrin në konsideratë shkuljen e dhëmbëve, që të çohen në spital, nga ku do të ishte më e lehtë të arratiseshin.
Si djem të rinj, ju keni paguar shumë para për të hyrë në Britani dhe nuk është aspak mirë të dërgoheni në Shqipëri. Më lejoni t’ju tregoj një truk tjetër. Hiqni një nga dhëmbët tuaj, kështu që ata do t’ju dërgojnë në spital.
Nuk ka asnjë provë që ndonjë nga taktikat do të funksiononte, por duket se katër shqiptarët kanë futur kontrabandë një smartphone në qendër.
Dyshohet se kanë paguar 500 £ për ta futur telefonin në qendër.
Nuk ka të dhëna publike të arratisjes së një shqiptari nga Colnbrook-u në vitin 2018, por tetë shqiptarë ishin në mesin e 13 personave që dolën në arrati pas një trazire në qendrën Yarl’s Wood në Bedfordshire, më 2023-shin.
TikTok tha se çdo promovim i aktiviteteve kriminale ishte i ndaluar sipas udhëzimeve të tij në komunitet.
Ne mbështetemi te autoritetet përkatëse për të identifikuar e na njoftojnë për llogaritë që përdoren nga burgjet ose qendrat e paraburgimit, në kundërshtim me ligjet. Kur të njoftohemi, ne shqyrtojmë dhe ndërmarrim veprimet e duhura nëse kemi informacion të mjaftueshëm që tregon shkelje të ligjeve vendase.
Colnbrook është një nga shtatë qendrat e emigracionit të menaxhuara nga Ministria e Brendshme e nga ku deportohen emigrantët e paligjshëm dhe të huaj të dënuar për krime. Një marrëveshje për kthim të shpejtë ka mundësuar kthimin e mijëra shqiptarëve nga Britania, kohët e fundit.
Rreth 12 mijë bashkëkombas shkuan në Mbretërinë e Bashkuar me gomone përgjatë Kanalit në vitin 2022, përpara se Londra e Tirana të negocionin goditjen për të frenuar fenomenin.