Ushqimi në plazh, në temperatura të larta me shumë lagështi, është vendi i përsosur për shumimin e baktereve, të cilat pas konsumimit mund të çojnë në helmim nga ushqimi. Prandaj, duhet të jeni shumë të kujdesshëm kur zgjidhni ushqim për kushte të tilla.
Përbërësi i parë dhe më i rëndësishëm për konsum në plazh dhe po aq i rëndësishëm për të gjitha grup-moshat, është uji në sasi të mjaftueshme, mundësisht i ftohur. Ai do të kompensojë lëngjet që humbasin nga avullimi dhe djersitja. Më pas vijnë çajrat e ftohta bimorë dhe ato me fruta, të përgatitura në shtëpi dhe pak të ëmbëlsuar me mjaltë, më pas limonadë dhe lëngje të tjera natyrale të shtrydhura.
Por cilat ushqime nuk duhet t’i merrni në plazh? Sigurohuni që të shmangni lëngjet e ëmbla të blera në dyqane që rrisin humbjen e lëngjeve, pijet e gazuara dhe alkoolin. Kur zgjedh ushqime, nuk rekomandohet mishi i përpunuar, veçanërisht mishi i shpendëve dhe aq më tepër vezët dhe peshku. Por nëse vendosni t’i konsumoni, është e nevojshme t’i ngrohni mirë. Gjithashtu, problematik është edhe një sanduiç me ushqim të përpunuar në mënyrë të pamjaftueshme.
E njëjta gjë vlen edhe për produktet gjysmë të gatshme që blejmë në dyqane. Shmangni ushqimet që përgatiten në vaj, si salsiçet, ushqimet e skuqura, patatet e skuqura, sepse janë më të vështira për t’u tretur. Kur bëhet fjalë për ëmbëlsirat, shmangni ëmbëlsirat kremoze të bëra nga vezët, ndërsa zgjidhni më mirë çokollatën me sa më shumë kakao.
Gjithashtu, shmangni të ashtuquajturat ushqime të shpejta, veçanërisht të bëra me mish, vezë, peshk dhe salca yndyrore. Nëse blini ujë dhe pije, ato duhet të jenë në paketimin origjinal, të cilin do ta hapni vetë.
Gjatë vapës së verës, konsumimi i një sasie të mjaftueshme të lëngjeve është çelësi për të shmangur dehidratimin. Megjithatë, një eksperte ka zbuluar se cila pije është alternativa më e mirë gjatë valës së të nxehtit. Mjekja, Natasha Fernando pohon se qumështi mund të jetë më hidratues se uji. “Është shumë e rëndësishme të kujdeseni për nivelet tuaja të hidratimit gjatë periudhave të motit të nxehtë”-thotë ajo.
Rikujtojmë se, nëse keni dhimbje në stomak, diarre, ethe ose vjellje disa orë pasi keni ngrënë diçka, shanset janë që jeni helmuar nga ushqimi. Helmimi nga ushqimi ndodh kur hani ushqim ose pini ujë që është i kontaminuar me baktere, parazitë, viruse ose toksina. Shumica e rasteve të helmimit nga ushqimi janë për shkak të baktereve të zakonshme, të tilla si Staphylococcus ose E. coli. Bakteret mund të hyjnë në ushqimin tuaj në mënyra të ndryshme. Helmimi nga ushqimi mund të ndodh gjithashtu kur njerëzit gatuajnë ushqimin pa i larë duart siç duhet, kur ushqimi përgatitet duke përdorur enë gatimi të papastra, kur ushqimet e ndjeshme lihen jashtë frigoriferit për një kohë të gjatë dhe kur njerëzit hanë ushqime të papërpunuara si peshku ose mish dhe vezë të papjekura. Uji jo i filtruar gjithashtu mund të shkaktojë helmim nga ushqimi.