Telefonat celularë do të ndalohen në klasat italiane në vitin e ri shkollor, sipas një dekreti të lëshuar këtë javë nga administrata e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni. Masa u prezantua nga ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara dhe synon të ndalojë përdorimin e telefonave inteligjentë në shkolla, përfshirë për qëllime mësimore, shkruajnë mediat e huaja.
Tabletat dhe kompjuterët mund të përdoren ende me pëlqimin e mësuesve. Ndalimi i celularëve synon të përmirësojë sjelljen e nxënësve.
Përveç kësaj, nxënësit e shkollës duhet të inkurajohen të përmirësojnë aftësitë e tyre të shkrimit të dorës. Valditara njoftoi më tej rifutjen e një “kalendari shkollor” në të cilin detyrat duhet të shkruhen me dorë.
Ndalimi i telefonave celularë në shkollat italiane është vendosur prej disa vitesh, por nuk u zbatua gjerësisht. Vende të tjera kanë prezantuar masa të ngjashme në vitet e fundit për të krijuar një mjedis më të mirë mësimor për nxënësit e shkollave.