Music

Për të dytin vit radhazi, Dj nga Kosova Oda Haliti do të performojë në “Berlin Beats 2024”!

DJ i njohur kosovar, Oda Haliti, do të performojë për të dytin vit radhazi në një prej netëve më të rëndësishme në “Berlin Beats”. Ngjarja mbahet në muzeun prestigjioz “Hamburger Bahnhof” në Berlin. Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet komunikatës për media ku shkruhet se nga Prishtina në Berlin, për të dytën herë Oda Haliti performon përsëri në një prej netëve më të rëndësishme në ‘Berlin Beats’.

Këtë vit më 7 qershor, Oda Haliti do të performojë në hapjen e “Berlin Beats 2024” si pjesë e programit më të madh dhe më të rëndësishëm muzikor të ‘Hamburger Bahnhof’. Ajo kryeson listën e DJ-ve që do të marrin pjesë këtë vit si headliner i eventit/ngjarjes, në një program serioz me artistë të tjerë të njohur botërorë.

Në edicionin e parë të “Berlin Beats 2023”, 50 000 vizitorë shijuan programin muzikor nga artistë të mëdhenj të skenës së Berlinit. Oda Haliti ishte e vetmja artiste jovendëse e cila ishte e ftuar të performonte në ‘Berlin Beats’ në natën speciale “Lange Nacht Der Museen zu Berlin”.

Oda Haliti njihet gjerësisht në skenën elektronike muzikore të Kosovës dhe ndërkombëtarisht me mbi 15 vjet karrierë muzikore, mes stilit të saj të kuruar të muzikës techno/elektronike e me një ndërthurje të pagabueshme të rrymave të ndryshme eksperimentale dhe ekscentrizmit ritmik.