Sport

Për kë e ka Silvinjo?! “Nuk është e thjeshtë të veshësh fanellë si e jona…”

Në prag të ndeshjes me Ukrainën në Ligën e Kombeve, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka mbajtur një konferencë për mediat, ku ka diskutuar përgatitjet dhe sfidat që priten.

Sylvinho theksoi se, edhe pse disa lojtarë kanë qenë të angazhuar në turne të ndryshme dhe kanë pasur pak pushime, ekipi është duke u përgatitur me intensitet për ndeshjen e ardhshme. Ai shprehu shqetësim për lodhjen e lojtarëve pas një Europiani të vështirë dhe mungesën e pushimeve të mjaftueshme.

Trajneri përmendi se të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe se stërvitjet e fundit do të ndihmojnë në përshtatjen e formacionit. Ai gjithashtu foli për rëndësinë e integrimit të lojtarëve të rinj në ekip dhe përpjekjet për të rritur performancën e ekipit në përputhje me karakteristikat e lojtarëve. Sylvinho theksoi se veshja e fanellës së Kombëtares është një përgjegjësi e madhe dhe një nder për çdo lojtar.

Të gjithë lojtarët janë gati, kjo është ajo që duam ne, kemi edhe një stërvitje këtë pasdite, nesër paradite diçka të lehtë, të shohim. Nuk është e thjeshtë, ai nuk e ka nisur ende një ndeshje, e kemi afruar në mars, për dy miqësore se ne e kemi parë. Ai e nisi rrugëtimin e tij aty. Janë hapa, avash-avash, e rëndësishme është të rritet në një ekip. Nuk është e thjeshtë të veshësh një fanellë të rëndësishme si e jona. Ai është i rëndësishëm për ne, si të tjerët.

Përsa i përket skemës taktike, trajneri ka eksperimente me formacione të ndryshme, përfshirë 4-3-3 dhe 4-2-3-1, dhe është i hapur për të provuar edhe 4-4-2, në varësi të karakteristikave të lojtarëve dhe nevojave të ndeshjes. Ai është i bindur se ekipi ka lojtarë të fortë dhe të motivuar, që janë të gatshëm të japin më të mirën në fushë.