Ankthi i perëndimit të diellit, është ndjesia e trishtimit që provojmë kur afrohet ai moment i ditës kur dielli nis të perëndojë, pikërisht momenti në të cilin kuptojmë se ditës po i vjen fundi. Sapo kemi hyrë në atë periudhe të vitit ku njerëzit ndihen të përpirë nga ndjesia e një bezdisje ku gjendja shpirtërore e secilit nga ne përjeton luhatje si rezultat i ndryshimit të orës diellore ku errësira e natës do të mbizotërojë orët e pasdites.
Është e vërtetuar shkencërisht se mungesa e dritës përcjell ndjesi trishtimi tek njerëzit por edhe ankth në rastet më të rënda dhe një studim i kryer në vitin 2022 tregoi se tendenca e ankthit lidhur me këtë fenomen lidhet me një predispozitë individuale të njeriut. Hulumtime të ndryshme gjithashtu kanë vërtetuar se ritmi i brendshëm ose ndryshe ora trupore e një individi, ndikon në ciklin e gjumit dhe aktivitetin ditor gjatë një periudhë 24 orëshe. Njerëzit që priren të jenë më aktiv gjatë orëve të natës kanë më shumë mundësi të përjetojnë gjendje ankthi dhe mendime ndërhyrëse gjatë pasdites dhe mbrëmjes.
Një arsye themelore për krijimin e ndjesive të ankthit, në këtë periudhë të vitit, lidhet ngushtësisht me produktivitetin e cila lind nga pritshmëritë jo-realiste për rezultatet që duam të arrijmë në një hark kohor të caktuar. Kur nuk arrijmë këto standarte të vetëimponuara, ne ndjejmë ndjesi faji dhe pamjaftueshmërie. Një lloj presioni i ushtruar së brendshmi, jo vetëm në sferën profesionale në menaxhimin e kohës por edhe në kohën e lirë, gjatë fundjavës etj.
Efekti i perëndimit të diellit i dërgon trupit dhe trurit tonë një sinjal fiziologjik, si një ftesë për të pushuar. E megjithatë, angazhimet ditore shpesh na detyrojnë ta kundërshtojmë këtë ritëm natyror duke zgjuar vigjilencën dhe produktivitetin tonë. Rrjedhimisht, nëse ditën tonë ia kemi përkushtuar ekskluzivisht detyrimeve tona profesionale dhe personale e duke i neglizhuar momentet e kënaqësisë dhe dëfrimit, kur dielli nis të përëndojë, ne mund të ndjejmë zbrazëti dhe zhgënjim.