Shpat Deda është imazhi i artistit që transmeton paqe, me artin, zërin melodioz dhe kitarën e tij. Këngëtari prej pak kohësh na kishte paralajmëruar se do të vinte me një koncert tërësisht unik, ndryshe nga sa kishim parë.
Dhe momenti i shumëpritur erdhi. Shpat Deda solli koncertin e tij autorial më 19 dhe 20 maj në skenën e Katedrales Ortodokse në Tiranë. Me historitë e tij të dashurisë së jetuar dhe të humbur, me lotët, ëndrrat dhe ninullat.
Një repertor i pasur dhe performancë që do të mbahen mend gjatë në bashkëpunim me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin e shquar, Visar Kuçi, dhe me producentin e njohur Tomor Kuçi, Shpat Deda nuk e zhgënjeu aspak publikun. Me një skenografi të veçantë skena e Katedrales Ortodokse u shndërrua në tempullin e Shpat Dedës dhe të ftuarve të tij specialë në një ‘udhëtim në fjalë e tinguj’.
Për të gjithë ata që nuk patën mundësi që ta shihnin live koncertin e tij të veçantë, mos u shqetësoni. Koncerti i ‘Udhëtim në fjalë e tinguj’ do të vijë gjithashtu dhe në “A Live Night”, në Top Channel dhe Top Albania Radio në mes të muajit qershor. Edhe pak ka mbetur…