Disa ditë më parë u njoftua se manjati mediatik 92-vjeçar Rupert Murdoch do të martohej për herë të pestë. Murdoch u fejua me partneren e tij Ann Lesley Smith. 92-vjeçari dhe 66-vjeçarja, u takuan në shtator në një event në vreshtat e tij në Kaliforni. Por, së fundmi një mik i çiftit tha se Smith e kishte të vështirë të jetonte në sytë e publikut me Murdoch. “Dje u ulën dhe diskutuan dhe ranë dakord që do të ishte më mirë të ndaheshin”, shtoi ai.
Rupert Murdoch i kishte propozuar 66-vjeçares me një unazë diamanti 11 karatësh me vlerë dy milionë paund. Dasma do të bëhej në verë. Murdoch i kishte propozuar partneres së tij të re vetëm gjashtë muaj pasi u takuan dhe më pak se një vit pas divorcit nga gruaja e tij e katërt dhe ish-supermodelja, Jeri Hall. Sipas gazetës britanike “Independent”, Jerry Hall ka deklaruar se është shkatërruar nga lajmi i fejesës së tij.
Ndërkaq, pasuria totale e Rupert arrin në 17 miliardë dollarë, sipas revistës amerikane Forbes. Miliarderi australian është martuar gjithsej katër herë dhe ka gjashtë fëmijë nga tre martesat e tij të para.