Rajoni

Për herë të parë nga paslufta, Kosova siguron bukën për gjithë vitin!

Ky vit pritet të shënojë rekord sa u përket rendimenteve të grurit në Kosovë. Madje, sipas Ministrisë së Bujqësisë, për herë të parë pas luftës, sigurohet buka për gjithë vitin. Ministri i Bujqësisë, Faton Peci:

Në Novolan të Vushtrrisë do të fillojnë zyrtarisht fushatën e korrjeve shirjeve për këtë vit. Të dhënat nga terreni tregojnë se fatbardhësisht për herë të parë në historinë e Kosovës së pasluftës ne sigurojmë bukën e motmotit. Një angazhim i tillë është falë përkrahjes së qeverisë, punës së zellshme të fermerëve dhe begatisë prej Zotit.

Ministri i Bujqësisë shtoi edhe se ky është një tregues i qartë se me angazhim të sinqertë dhe punë me meritë, nuk ka objektiv që nuk arrihet.

Zoti e bekoftë bukën e Kosovës, Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

Edhe profesori universitar, Imer Rusinovci vlerëson se prodhimi i grurit këtë vit, qoftë për nga sasia, qoftë për nga cilësia, është më mirë se vitin e kaluar.

Prodhimtaria e grurit këtë vit është më e mirë, qoftë për sasi të prodhimit, qoftë për cilësi. Tani korrjet kanë filluar edhe në rrafshin e Kosovës. Unë isha prezent në disa sondazhe në Komunën e Lipjanit dhe prodhimtaria ishte diku 6 deri në 7 tonë, që do të thotë dukshëm më e lartë në raport me vitet e kaluara.

Vitin e kaluar kanë qenë 100 mijë hektarë me drithëra ku 66 mijë hektarë ishin me grurë. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se vendi ka mbi 512 mijë hektarë tokë të përshtatshme për bujqësi, por për qëllime të ndryshme shfrytëzohen mbi 420 mijë hektarë.

Sipas ASK-së, rreth 189 mijë hektarë shfrytëzohen për rritjen e kulturave bujqësore, mbi 217 mijë hektarë hyjnë në kategoritë e livadheve dhe kullotave, ndërsa sipërfaqet e tjera janë plantacione për pemë, perime e kopshte.

Prej vitesh, Kosova përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon më shumë nga sa eksporton, përfshirë këtu prodhime bujqësore. Vendi nuk i plotëson as nevojat e popullatës për grurë dhe importon nga fqinjët ose vendet e Bashkimit Europian.

Prodhimi vendas i grurit, ndër vite, është rreth 300 mijë tonë në kohën kur Kosovës i nevojiten mbi 410 mijë tonë.